Sot mbahet marsh në nder të Rexhail Qerimit
Shkup, 4 shkurt – Sot pritet të mbahet marsh protestues për nder të të ndjerit Rexhail Qerimit, i dënuari për rastin “Alfa” si dhe për disa raste gjyqësore.
Protesta do të fillojë në sheshin “Skënderbeu” në Shkup dhe pritet të përfundojë para zyrës së Bashkimit Evropian.
“Të dashur bashkatdhetarë, ju njoftojmë se me datë 04.02.2022, të premten në ora 13:30 do të mblidhemi në sheshin “Skënderbeu” ku do ta fillojmë marshin në nder të Rexhail Qerimit dhe do të kërkojmë hetim ndërkombëtar në zyrat e BE-së për vdekjen e dyshimtë”, bëri të ditur vëllai i të ndjerit, Jetulla Qerimi.
Rexhail Qerimi ka vuajtur dënim të përjetshëm për rastin “Alfa”ku në parkingun e fakultetit matematiko natyror në Shkup, me një breshëri plumbash nga kallashnikovi, më 26 nëntor të 2008-tës, ishte vrarë polici shqiptar nga njësiti Alfa, 38 vjeçari Afrim Arifi. Por ishin plagosur edhe dy kolegët e tij maqedonas me të cilët kishte qenë në patrullë, Sashe Petrovski dhe Edvard Aleksovski.

