FAO: Çmimet e ushqimit në janar afër nivelit më të lartë në 10 vitet e fundit
Çmimet botërore të ushqimit janë rritur sërish në janar, të nxitura nga rritja e çmimit të vajrave bimore dhe janë afër nivelit më të lartë në 10 vitet e fundit, bëri të ditur sot Agjencia e KB-së për ushqim.
Indeksi i FAO-s së çmimeve të shportës së produkteve themelore ushqimore është rritur për 1,1 për qind në muajin e parë të këtij viti në raport me vlerën e shqyrtuar në dhjetor, të 135,7 pikave mesatare.
Indeksi që i përcjellë ushqimet e vajrave bimore është rritur më së shumti, për 4,2 për qind, duke e arritur nivelin më të lartë pasi që FAO i përcjellë të dhënat, për shkak të qasjes së zvogëluar të eksportit dhe kufizimeve të tjera në ofertën të ndërlidhura e mungesën e fuqisë punëtore dhe kushtet e pavolitshme të motit.
“Druhet se këto kufizime nuk do të zbuten aq shpejt”, theksohet në kumtesën e Bubakër Ben-Belhasen nga Sektori për tregje dhe tregti të FAO-s.
Muajin e kaluar çmimet e qumështit dhe produkteve qumështore janë rritur dukshëm për 2,4 për qind, kumtoi FAO, duke e theksuar rritjen e fuqishme të çmimeve të qumështit të skremuar në pluhur dhe buter.
Çmimet e drithërave pothuajse kanë ngecur pasi një rritje prej 3.8 për qind e çmimeve të misrit për shkak të thatësirës në Amerikën e Jugut e neutralizoi rënien prej 3.1 përqindëve të çmimeve të grurit, e nxitur nga rendimentet e mira në Australi dhe Argjentinë.
Çmimet e mishit gjithashtu u rritën pak, ndërsa më i lirë ishte vetëm sheqeri për 3.1 për qind në krahasim me dhjetorin, pjesërisht për shkak të perspektivave të favorshme prodhuese në eksportuesit kryesorë Indi dhe Tajlandë, kumtoi FAO.
Rritja e çmimeve të ushqimeve është një faktor i rëndësishëm në rritjen e fuqishme të çmimeve të konsumit gjatë rimëkëmbjes së ekonomive të botës nga kriza pandemike dhe FAO paralajmëron se shpenzimet më të larta kërcënojnë të varfrit në vendet e varura nga importi.

