Mickoski dhe Peach biseduan për zgjedhje të parakohshme dhe bisedimet me Bullgarinë
Shkup, 1 shkurt – Situata aktuale politike në vend dhe bisedimet me Bullgarinë ishin në fokus të takimit të sotëm të kryetarit të VMRO-DPMNE-së, Hristian Mickovski dhe përfaqësuesit special të Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe dhe Irlandës Veriore për Ballkanin, Stjuart Piç.
Siç bëri të ditur VMRO-DPMNE, Mickovski e ka theksuar nevojën për zgjedhje të parakohshme të cilat, sipas tij, do të jenë motor për ndryshimet dhe për rimëkëmbje të shtetit.
“Në takim ishte biseduar për situatën aktuale politike në vend, ndërsa nga ana e kryetarit Mickovski ishte theksuar nevoja për zgjedhje të parakohshme të cilat do të nënkuptonin zgjidhje të krizës në të cilën ky pushtet e futi shtetin, ishte potencuar se mbështetja e popullit është kthyer kah VMRO-DPMNE, që u pa edhe pas rezultatit në zgjedhjet lokale. Zgjedhjet e parakohshme do ta pasqyrojnë vullnetin e popullit në Parlament”, informoi VMRO-DPMNE.
Në lidhje me bisedimet me Bullgarinë, ishte përsëritur qëndrimi i VMRO-DPMNE-së se pushteti duhet ta respektojë Rezolutën e miratuar në Kuvend e cila nënkupton ruajtjen e karakteristikave të identitetit maqedonas dhe interesat nacionale kyçe.
“Ishin konstatuar marrëdhëniet e mira të cilat i kanë të dyja shtetet, ndërsa nga ana e VMRO-DPMNE-së ishte thënë se vendi ynë Britaninë e Madhe e sheh si mbështetëse dhe do të punojë që edhe në të ardhmen marrëdhëniet mes të dyja shteteve të përforcohen, ndërsa pas ardhjes në pushtet, të ketë bashkëpunim edhe më të madh në të gjitha sferat kyçe”, qëndron në kumtesën e partisë.
Në takimin me Piç morën pjesë edhe nënkryetarët Aleksandar Nikollovski dhe Vllado Misajllovski, anëtari i KE, Dragan Kovaçki, si dhe sekretari për bashkëpunim ndërkombëtar, Stefan Andonovski.

