Pendarovski: Retorika e historianëve nga Sofja e rëndon punën e Komisionit
Shkup, 1 shkurt – Presidenti i shtetit, Stevo Pendarovski konsideron se retorika e cila dëgjohet nga anëtarët bullgarë të Komisionit të përbashkët për Çështje Historike dhe Arsimore do ta rëndojë punën e tij dhe do t’i rëndojë marrëdhëniet e përgjithshme bilaterale.
“Ajo që mendoj se e rëndon dhe do ta rëndojë punën e Komisionit Historik dhe do t’i rëndojë marrëdhëniet e përgjithshme bilaterale pavarësisht që bëmë gjithsej pesë komisione, përveç atij historik, është retorika e cila dëgjohet kohë pas kohe nga anëtarë të Komisionit Historik nga Sofja, të cilët në bazë ditore po tentojnë që para se të takohen me kolegët e tyre maqedonas të tregojnë se si duhet të jetë zgjidhja në punën e atij Komisioni”, deklaroi sot Pendarovski në konferencë për media pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë, duke u përgjigjur në pyetjet e gazetarëve.
Këshilla ime për të gjithë ata, shtoi Pendarovski, është “më pak të flasin nëpër media, më pak paragjykim të rezultatit të punës së atij Komisioni, ndërsa më shumë rezultate konkrete, por vetëm përgjatë dialogut të barabartë me kolegët e tyre maqedonas”.
“Qasjen e re të cilën kryeministri Petkov e promovoi kur erdhi në Shkup ishte kryesisht më ndryshe se e deritanishmja. Gjatë një viti e gjysmë të kaluar theksi i insistimit të Sofjes kuptohet ishte vënë shumë në Komisionin e përbërë nga historianë dhe de fakto edhe pse ajo nuk është e shkruar në Marrëveshjen e vitit 2017, historia ose harmonizimi, siç thonë ata, rreth të a.q. pikave të përbashkëta, vendeve të përbashkëta në histori, ishte parakusht për fillimin e bisedimeve për anëtarësim në BE”, tha Pendarovski.
Qasja e re të cilën e përshëndetën edhe në Shkup dhe bashkësia ndërkombëtare dhe Bruksel, sqaroi Pendarovski, nënkupton që Komisioni Historik të jetë vetëm një nga pesë komisionet të cilët do të punojnë dhe në bazë të progresit në grupet dhe komisionet e tjera të punës përveç këtij historik do të vlerësohet ajo nëse Maqedonia e Veriut deri në fund të kryesimit të Francës i përmbush kushtet ose meriton të jetë shtet i cili do t’i fillojë bisedimet pas 17 viteve pritje me statusin e kandidatit.

