Osmani – Peach: Riafirmim i angazhimit të fortë të Mbretërisë së Bashkuar për stabilitetin dhe sigurinë
Shkup, 1 shkurt – Gjendjet aktuale të brendshme politike në vend dhe rajon, si dhe mundësitë për bashkëpunim me Mbretërinë e Bashkuar në fusha nga interesi i ndërsjellë ishin temat për të cilat biseduan ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani dhe i dërguari special i Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe dhe Irlandës së Veriut, përgjegjës për Ballkanin Perëndimor, Sir Stjuart Piç, i cili ndodhet në vizitën e tij të parë të punës në vendin tonë.
“Osmani e informoi të dërguarin special Piç, për zbatimin e reformave nga agjenda evropiane, me theks të veçantë në ripërtëritjen e dialogut me Bullgarinë fqinje dhe vendosjen e një themeli solid për forcimin e besimit dhe bashkëpunimit në sektorët kyçë të interesit dhe avancimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore”, kumtoi Ministria e Punëve të Jashtme.
Të dy bashkëbiseduesit iu referuan edhe sfidave të sigurisë me të cilat përballet rajoni i Ballkanit Perëndimor. Me këtë, i dërguari special Piç ripohoi përkushtimin e fortë të Mbretërisë së Bashkuar në Rajon, si dhe rolin e saj në procesin e ruajtjes së sigurisë dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor”.
“Miqësia dhe partneriteti tradicional ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Mbretërisë së Bashkuar në tre dekadat e fundit reflektohet përmes dialogut intensiv politik dhe bashkëpunimit të shkëlqyer tregtar dhe sektorial, i cili do të rrisë më tej mundësitë të cilat i ofron Marrëveshja Bilaterale për Tregti, Partneritet dhe Bashkëpunim ndërmjet dy vendeve tona. Ekziston interes i madh për forcimin e marrëdhënieve të fuqishme tregtare, me çka Mbretëria e Bashkuar vazhdon të jetë partneri ynë i dytë më i madh tregtar dhe një nga investitorët më të mëdhenj të huaj të drejtpërdrejtë në vendin tonë”, citon MPJ.

