Temat e para të Grupit maqedono-bullgar për ekonomi: Investime, Start-up, inovacione e fonde evropiane
Shkup, 1 shkurt – Tërheqja e investimeve, strukturimi i instrumenteve financiare, mbështetja e start-up-eve dhe kompanive nga të dyja vendet, bashkëpunimi në fushën e inovacioneve, projektet e përbashkëta para fondeve dhe programeve evropiane, si dhe rritja e tregtisë, janë temat te takimit të sotëm të parë të Grupit punues maqedono-bullgar për ekonomi, tregti dhe inovacion që mbahet në Shkup.
Grupi punues udhëhiqet nga Ministri i Financave Fatmir Besimi dhe Ministri i Inovacionit dhe Rritjes të Republikës së Bullgarisë, Daniel Lorer.
“Ky takim i dytë i delegacioneve qeveritare të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Bullgarisë, i organizuar për një periudhë të shkurtër kohore, tregon gatishmërinë për thellimin dhe forcimin e bashkëpunimit ekonomik ndërmjet dy vendeve, shkroi ministri Besimi pas takimit.
Pas përfundimit të takimit pritet të dy ministrat të japin deklarata për mediat.
Me takimin e Grupit punues për ekonomi, tregti dhe inovacion filloi qasja e re në marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve, të cilën e paralajmëruan kryeministrat Dimitar Kovaçevski dhe Kiril Petkov.
Të dy qeveritë kanë formuar katër grupe pune – për ekonominë, tregtinë dhe inovacionin, për infrastrukturën, transportin dhe lidhjet, për integrimin evropian dhe politikat e gjelbra dhe për kulturën, shkencën dhe arsimin. Çështjet historike do të shqyrtohen nga Komisioni i përbashkët tashmë ekzistues maqedon-bullgar për çështje historike dhe arsimore. Është planifikuar që çdo javë të mbahet një takim me njërin prej këtyre grupeve, ku secili në sferën e tij do të kontribuojë në forcimin e bashkëpunimit mes dy vendeve.

