Kushtetuesja vendos sot për fatin e Metës. Tusha: Kushtetuta parashikon procedurë të veçantë. Këshilltari i Presidentit: Ka shkaqe që i bën anëtarët të njëanshëm

Ka nisur në Gjykatën Kushtetuese seanca ndaj për shkarkimin ose jo të Presidentit të Republikës Ilir Meta. Drejtuesja e Kushtetueses, Vitore Tusha u shpreh në nisje të seancës se kushtetuta parashikon një procedurë të vecantë që nuk është zhvilluar kurrë me parë.

Vetë Presidenti Ilir Meta nuk ka marrë pjesë në seancën e sotme gjyqësore. Kreu i shtetit përfaqësohet në këtë seancë nga Keshilltari i tij Ligjor, Bledar Dervishaj dhe Drejtoresha Juridike, Katrin Treska.

Ora 10:08 – Gazetarja Klodiana Lala, e cila po ndjek zhvillimet e procesit tha për ‘BalkanWeb’ se Presidenti me shkresën me nr. protokolli 392 ka paraqitur një kërkesë paraprake në Kushtetuese, kërkesë e cila është dërguar në orën 09:00.

“Cështja është paraqitur në qershor 2021 e po shqyrtohet vetëm në shkurt 2022. Kërkesa lidhet me anetarët e trupës gjykuese, pasi ka shkaqe që i bën ata të njëanshëm në shqyrtimin e kërkesës”- është shprehur gjatë seancës, këshilltari ligjor i Presidentit.

Sipas Dervishajt ka shkaqe papajtueshmërie për Vitore Tushen, sepse ka 5 vite me mandat të përfunduar.

“Kërkojmë që anëtarët e kushtetueses të vlerësojnë nëse janë ose jo përpara rasteve që duhet të heqin dorë nga shqyrtimi i cështjes. Për disa nga anëtarët kemi zbuluar vetëm ditën e djeshme disa shkaqe që i bëjnë të papajtueshëm dhe në konflikt interesi. Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese ka hyrë ne vitin e 5 me mandat të përfunduar. Ndërsa për dy anëtarë të tjerë është deklaruar përfundimi i mandatit. Presidenti ka vite që denoncon hapur kapjen e drejtësisë, por sot ka të drejtë të gjykohet nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme” tha ai ndërsa solli në vëmendje edhe sulmet e kryeministrit sipas tij në adresë të Kreut të Shtetit.

10:28 Gjithashtu Dervishaj ka sjellë në vëmendje edhe kërkesën për procedim disiplinor për dy anëtarë të Gjykatës Kushtetuese që kanë shqyrtuar zgjedhjet e 30 qershorit. Ndër të tjera këshilltari ligjor i presidentit, bëri përgjegjës për këto shkelje Vitore Tushën dhe Përparim Kalon, duke theksuar se relatoi i cështjes është përcaktuar pa short, në shkelje të procedurave

Minutë pas minute:

Ora 8:20 Gjykata Kushtetuese do të japë sot vendimin mbi kërkesën e maxhorancës për shkarkimin e presidentit Ilir Meta.

Në qershor të këtij viti, 104 deputetë nga 140 që ka gjithsej parlamenti i Shqipërisë votuan pro shkarkimt të Presidentit Meta. Maxhoranca socialiste e fajëson atë për deklarata publike para dhe gjatë fushatës për zgjedhjet parlamentare 2021, të zhvilluara më 25 prill të këtij viti, të cilat kanë nxitur dhunë dhe kanë shkelur Kushtetutën.

Votimi u bazua në gjetjet e raportit të hartuar nga një komision hetimor me pjesëmarrjen edhe të opozitës, të ngritur enkas për të hetuar qëndrimin e Presidentit Meta para dhe gjatë fushatës elektorale të zgjedhjeve parlamentare 2021.

Sipas raportit, presidenti Meta ka shkelur më shumë se 10 nene të Kushtetutës gjë që, sipas maxhorancës socialiste, ka sjellë mosgarantimin e unitetit kombëtar duke mbajtur anën e opozitës para zgjedhjeve të 25 prillit dhe nxitur destabilitet dhe dhunë.

Nëse gjykatësit kushtetues e gjykojnë të ligjshëm vendimin e Parlamentit, Presidenti Meta duhet ta lerë detyrën e lartë pa e përfunduar mandatin e tij pesëvjeçar, që mbaron në korrik 2022.

Vetë Presidenti Meta e ka konsideruar të paligjshëm komisionin hetimor, nuk ka pranuar akuzat e maxhorancës socialiste, e ka quajtur antikushtetues vendimin e parlamentit për shkarkimin e tij dhe “të orkestruar nga PS për hakmarrje politike.”