Muamet Hoxha: Pajisje të reja për mbeturinat dhe investime në infrastrukturë në Strugë
Strugë, 9 prill, medial.mk/ – Ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Muamet Hoxha, së bashku me kryetarin e Komunës së Strugës, Mendi Qyra, inspektuan pajisjet e reja komunale të dedikuara për menaxhimin e mbeturinave, si pjesë e krijimit të një sistemi të integruar dhe të qëndrueshëm rajonal.
Projekti realizohet me mbështetjen e ‘European Bank for Reconstruction and Development‘ dhe parasheh përforcimin e kapaciteteve të shërbimeve komunale në Strugë. Në këtë fazë, komuna përfiton tre kamionë për grumbullimin e mbeturinave me kapacitet prej 12 metra kub, dy kamionë prej 8 metra kub dhe një kamion tip kiper, si dhe mbi 8 mijë kosha dhe më shumë se 130 kontejnerë.
Sipas autoriteteve, një pjesë e pajisjeve tashmë është dorëzuar, ndërsa pjesa tjetër pritet të arrijë deri në tetor të vitit 2026, duke mundësuar përmirësim të ndjeshëm të shërbimeve si në zonat urbane, ashtu edhe në ato rurale.
Gjatë vizitës, ministri Hoxha u njoh edhe me ecurinë e projekteve të tjera infrastrukturore në Strugë, të mbështetura nga ministria, përfshirë ndërtimin e rrjetit të ri të ujësjellësit në qytet dhe sistemin kolektoral Radozhdë–Kalishte.
Po ashtu, është shënuar fillimi i ndërtimit të sistemit të kanalizimit në fshatin Vranishtë, një investim që synon përmirësimin e kushteve jetësore dhe mbrojtjen e mjedisit.



