Hristijan Mickoski: Nuk do të ketë kufizime për karburantet, furnizimi është stabil

Shkup, 9 prill, medial.mk/ – Kryeministri Hristijan Mickoski deklaroi se vendi ka furnizim të qëndrueshëm me derivate të naftës, pavarësisht rritjes së kërkesës si pasojë e krizës në Lindjen e Mesme.

Ai bëri të ditur se në disa ditë konsumi ditor i karburanteve ka kaluar mbi 2 milionë litra, duke theksuar se sistemi i furnizimit po funksionon pa ndërprerje.

“Mund të them se kërkesa është rritur ndjeshëm. Ka ditë kur shpërndahen mbi 2 milionë litra nga pompat e benzinës në të gjithë vendin”, deklaroi Mickoski.

Sipas tij, Maqedonia e Veriut mbetet ndër vendet me çmimet më të ulëta të naftës në rajon, çka ka nxitur edhe qytetarë nga shtetet fqinje të furnizohen në vend.

Kryeministri theksoi se autoritetet nuk planifikojnë të vendosin kufizime për automjetet me targa të huaja apo për sasinë e karburantit.

“Kemi sasi të mjaftueshme të dizelit dhe produkteve të tjera të naftës, si përmes gypit përçues që lidh rafinerinë OKTA me portin e Selanikut, ashtu edhe në rezervat shtetërore. Nuk kemi paralajmërime për pengesa në furnizim”, u shpreh ai.

Mickoski shtoi se vendi po luan rol edhe në mbështetjen e rajonit, duke përmendur se disa aeroporte furnizohen me kerozinë nga Maqedonia e Veriut.

Në këtë kontekst, ai nënvizoi se rritja e kërkesës ka ndikuar edhe në rritjen e shitjeve në disa pika karburanti, ku konsumi është rritur deri në tre apo katër herë.

Leave a Reply