Berisha: Nuk mund të shtyhen debatet dhe negociohen interpelancat, kanë afate kushtetuese
Tiranë, 9 prill medial.mk/ – Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, tha sot se Kuvendi është kthyer në një institucion që, sipas tij, mbron vjedhjet dhe interesat e qeverisë, duke shkelur Kushtetutën dhe rregullat parlamentare.
Gjatë fjalës në Kuvend, Berisha tha se për herë të parë në dekadat e pluralizmit, parlamenti po përdoret në mënyrë “antikushtetuese dhe antidemokratike”.
Sipas tij, parlamenti “për herë të parë në 35 vite parlamentarizëm pluralist, mbron në mënyrën më të paskrupullt, më antikushtetuese, më antidemokratike, më antikombëtare, vjedhjet e qeverisë”.
“Edi Rama e ka shndërruar këtë parlament në një leckë të veten, në të cilin nuk respektohet asnjë ligj, asnjë rregull, as Kushtetuta, asgjë tjetër përveçse interesave të tij”, tha ai.
Sipas Berishës, shtyrja e debateve në Kuvend, përfshirë ato për integrimin evropian, bëhet qëllimisht për të shmangur diskutimet mbi çështje që, sipas tij, prekin qeverinë dhe zyrtarët e saj.
“Nuk mund të shtyhen debatet, kanë afate kushtetuese. Nuk negociohen interpelancat, kanë afate ligjore kushtetuese. Dilni këtu pa asnjë rregullore, nuk e respektoni as Kushtetutën në asnjë nen që i takon parlamentit. Si ka mundësi të jeni kaq të dobët para ligjit, para Kushtetutës? Vetëm e vetëm për një njeri”, tha Berisha.

