Ismaili: Interpelancat do të zhvillohen sipas procedurave dhe koordinimit me ministrat
Tiranë, 9 prill medial.mk/ – Pas akuzave të opozitës për bllokim të interpelancave me Kryeministrin dhe ministrat, ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Erjona Ismaili reagoi duke theksuar se procedurat janë respektuar dhe se çdo kërkesë e rregullt do të trajtohet.
Në replikën e saj në Kuvend, ministrja sqaroi se bazuar në praktikën e deritanishme, çdo seancë plenare ka përfshirë interpelanca, në përputhje me kërkesat e deputetëve dhe rregulloren e Kuvendit.
Ajo nënvizoi se kjo çështje është diskutuar më herët dhe konsiderohet e ezauruar edhe në Konferencën e Kryetarëve, duke garantuar se e drejta e deputetëve apo grupeve parlamentare për të kërkuar interpelanca apo seanca pyetje-përgjigje me ministrat respektohet plotësisht.
Sipas ministres, të gjitha kërkesat që janë në përputhje me procedurat do të merren në shqyrtim dhe do të zhvillohen, në koordinim me ministrat përkatës dhe në përputhje me angazhimet dhe axhendat e tyre.
Ismaili vlerësoi gjithashtu mirëkuptimin e treguar deri më tani nga deputetët në këtë proces, duke theksuar se për çdo kërkesë që nuk është konsideruar procedurialisht e rregullt, është kthyer përgjigje zyrtare përkatëse.
Ismaili garantoi se transparenca dhe respektimi i rregullave parlamentare do të vijojnë të jenë udhërrëfyese në zhvillimin e interpelancave në Kuvend.

