OKB shtyn votimin për përdorimin e forcës në Ngushticën e Hormuzit

Nju York, 3 prill, medial.mk/ – Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara ka shtyrë votimin për një rezolutë që do të autorizonte përdorimin e forcës mbrojtëse] për të garantuar sigurinë e transportit detar në Ngushticën e Hormuzit, një nga korridoret më të rëndësishme të naftës në botë.

Sipas programit zyrtar, votimi ishte planifikuar të zhvillohej sot, por u shty pa një datë të re. Burime diplomatike thanë se arsyeja lidhet me faktin që OKB-ja respekton të Premten e Madhe si festë zyrtare, edhe pse kjo ishte e ditur që më parë.

Rezoluta ishte propozuar nga Bahrejni dhe mbështetet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ajo synon të lejojë vendet anëtare të përdorin “të gjitha mjetet e nevojshme mbrojtëse”, qoftë individualisht apo në kuadër të operacioneve detare shumëkombëshe, për të mbrojtur lundrimin ndërkombëtar në zonë.

Kriza në Ngushticën e Hormuzit është përshkallëzuar pasi Irani ka kërcënuar dhe penguar kalimin e anijeve, në përgjigje të sulmeve izraelito-amerikane që kanë ndezur luftën njëmujore në Lindjen e Mesme. Kjo situatë ka vënë në rrezik furnizimin global me karburant dhe ka tronditur tregjet ndërkombëtare.

Ambasadori i Bahrejnit në OKB, Jamal Alrowaiei, e cilësoi situatën si “terror ekonomik” që prek jo vetëm rajonin, por gjithë botën.

Ai theksoi se draft-rezoluta vjen në një moment kritik dhe ka kaluar disa ndryshime për të fituar mbështetje më të gjerë.

Për të shmangur kundërshtimet, teksti është modifikuar duke hequr referencën e drejtpërdrejtë ndaj Kapitullit 7 të Kartës së OKB-së, i cili lejon përdorimin e forcës ushtarake.

Gjithashtu, theksi është vendosur tek karakteri mbrojtës i ndërhyrjes, çka duket se ka lehtësuar shqetësimet e vendeve si Franca, ndërsa Rusia dhe Kina mbeten skeptike.

Ndërkohë, presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se vendet që përballen me mungesa karburanti duhet të sigurojnë vetë naftën në Hormuz, duke sinjalizuar se SHBA-ja  nuk do të ndërhyjë për t’i ndihmuar ato në këtë drejtim.

Leave a Reply