Gonxhja: Grupi spanjoll i turizmit LPA, tashmë me një plan konkret partneriteti
Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja ka pritur në Tiranë, përfaqësues të grupit spanjoll LPA, me të cilët ishte njohur paraprakisht në Panairin e Turizmit FITUR në Madrid.
Ministri Gonxhja u shpreh se, grupi spanjoll LPA iu përgjigj ftesës për të ardhur dhe investuar në Shqipëri, tashmë me një plan konkret mbi partneritete në rrafshin e gadishullit iberik, që përfshin Spanjën, Portugalinë, Andorrën e Gjibraltarin, ku synojmë bashkëpunime konkrete dhe tërheqje të eksperiencës e të investimeve në turizëm në vendin tonë.
Gjatë takimit në mjediset e MTKS u diskutuan hapat e mëtejshëm për promovimin e potencialit shqiptar, angazhimin në rrjetëzim me grupe serioze interesi, dhe rritjen e vizibilitetit të Shqipërisë në tregjet ndërkombëtare, përfshirë Amerikën Latine.
Gjithashtu u fol edhe për forcimin e bashkëpunimit me operatorë turistikë dhe partnerë strategjikë për zhvillimin e produkteve turistike cilësore dhe të qëndrueshme. MTKS bëri të ditur se, ka prioritet industrinë avangardë iberike të turizmit, me qëllim rritjen ekonomike, punësimin dhe konsolidimin e imazhit të vendit në tregjet dhe arenën ndërkombëtare.

