Sisteme raketore Javelin në Forcën Tokësore, Vengu: Garanci për sigurinë

Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, mori pjesë sot në ceremoninë e dorëzimit të sistemeve raketore Javelin në Komandën e Forcës Tokësore në Zall Herr, ku ishte e pranishme edhe e Ngarkuara me Punë e SHBA në Tiranë, Nancy VanHorn.

Në fjalën e tij, Vengu e cilësoi momentin si domethënës, duke theksuar se dorëzimi i sistemit Javelin përbën përmbylljen e një komponenti të porositur prej vitesh, në kuadër të bashkëpunimit të ngushtë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Sot dorëzojmë në Forcën Tokësore sistemin Javelin në tërësinë e këtij komponenti, pjesë e një bashkëpunimi të konsoliduar me SHBA-të”, tha Vengu.

“Ky sistem nuk është thjesht simbol force dhe kapaciteti, por edhe një mesazh qartësie strategjike”, u shpreh ministri.

Ai theksoi se siguria shpesh është e padukshme kur funksionon dhe se paqja krijon iluzionin e një gjendjeje natyrore, ndërsa investimi në mbrojtje nuk prodhon gjithmonë duartrokitje të menjëhershme, por shmang kriza që askush nuk dëshiron t’i përjetojë.

Duke iu referuar mësimeve të historisë, Vengu nënvizoi se kostoja e përgatitjes është gjithmonë më e vogël se kostoja e papërgatitjes, ndërsa vendet që hezitojnë të investojnë në mbrojtje shpesh detyrohen ta bëjnë këtë nën presion dhe në kushte emergjence.

Ministri theksoi se Shqipëria ka zgjedhur, me orientimin dhe mbështetjen e SHBA-ve, të investojë në kohë paqeje, me planifikim dhe disiplinë buxhetore, duke e konsideruar mbrojtjen si një investim strategjik për të ardhmen.

“Sistemi Javelin është pjesë e kësaj filozofie, ku ne rrisim besueshmërinë duke shkurajuar rreziqet me kapacitete reale. Shqipëria nuk armatoset për të kërcënuar askënd, por për të garantuar që askush të mos e vërë në provë, brenda suazës së sigurisë kolektive të aleancës”, tha ai.

Në përfundim, Vengu u shpreh se mbrojtja nuk është luks, por një shtyllë e shtetit dhe një kusht themelor për një shtet serioz, që synon të jetë një hallkë e fortë në proceset integruese, veçanërisht në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Leave a Reply