Zhupa: Pr.ligji për portet turistike synon dhurimin e porteve për oligarkë pranë qeverisë
Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa, në një deklaratë për mediet nga kryesia e Kuvendit, tha se projektligji i propozuar nga deputetja e Partisë Socialiste, Zamira Sina, “Për portet turistike në Republikën e Shqipërisë”, është një projektligj kundër interesit publik.
Zhupa tha se është një ligj i qeverisë i cili do të shmangë procesin e konsultimit publik.
“Një ligj që paraqet problematika të theksuara kushtetuese, ekonomike dhe të sigurisë kombëtare, sepse synon dhurimin e porteve për klientet dhe oligarkët pranë qeverisë me titullin “investitor strategjik”, tha Zhupa.
Sipas saj problemet e këtij ligji janë të shumta.
“Së pari, portet edhe kur klasifikohen si turistike përbëjnë infrastrukturë kritike kombëtare, e lidhur drejtpërdrejt me sovranitetin territorial, sigurinë detare, kontrollin kufitar, zhvillimin ekonomik dhe menaxhimin e hapësirës bregdetare. Ato janë pjesë e pasurisë publike me regjim të posaçëm juridik dhe, si të tilla, administrimi i tyre duhet të udhëhiqet nga parimi i interesit publik maksimal dhe jo nga përjashtime sipas gjykimeve preferenciale të kryeministrit”, tha Zhupa.
Së dyti shtoi deputetja demokrate, “parimi i konkurrencës së lirë dhe barazisë para ligjit kërkon që çdo dhënie e së drejtës për ndërtim apo operim të aseteve publike me vlerë strategjike të realizohet përmes garës së hapur, transparente dhe të matshme”.
Zhupa vijoi më tej duke theksuar se “investitorët strategjikë aktualisht përfitojnë lehtësi të konsiderueshme: procedura të përshpejtuara, asistencë administrative, mbështetje infrastrukturore dhe, në disa raste, përdorim afatgjatë të pronës publike me tarifa simbolike. Shtimi i një përjashtimi nga gara për asete me rëndësi të veçantë si portet përbën një favorizim të disproporcionuar, i cili cenon parimin e proporcionalitetit në politikëbërje. I bën ata shtet mbi shtetin”.
Së katërti, tha Zhupa, “në aspektin e së drejtës evropiane dhe angazhimeve të Shqipërisë për përafrimin me acquis communautaire, standardet e BE-së në fushën e prokurimit publik, koncesioneve dhe ndihmës shtetërore kërkojnë transparencë, mosdiskriminim dhe konkurrencë reale. Përjashtimet e gjera nga gara mund të konsiderohen si devijim nga këto standarde dhe të ndikojnë negativisht në procesin e integrimit evropian”.
Nga këndvështrimi i sigurisë juridike, Zhupa theksoi se “nuk është e arsyeshme që një ligj i përhershëm sektorial të ndryshohet për t’iu përshtatur një skeme të përkohshme. Kjo qasje cenon stabilitetin e rendit juridik dhe krijon pasiguri për investitorët e tjerë që operojnë në kushte konkurrence”.
Në përfundim, Zhupa tha se “portet dhe hapësirat bregdetare përbëjnë pasuri të pazëvendësueshme të brezave aktualë dhe të ardhshëm. Çdo vendimmarrje për administrimin e tyre duhet të jetë rezultat i një procesi transparent, konkurrues dhe të justifikuar ekonomikisht. Heqja dorë nga gara nuk përbën thjesht thjeshtim procedure, por reduktim të mekanizmave mbrojtës të interesit publik”.
Zhupa tha se nga këndvështrimi i zhvillimit turistik, një qasje e tillë mund të rezultojë problematike edhe për vetë industrinë e turizmit.
“Dhënia e porteve turistike pa garë të hapur rrezikon të krijojë monopole lokale, të kufizojë diversitetin e ofertës dhe të frenojë inovacionin në shërbime. Kur mungon konkurrenca reale, bie presioni për të rritur cilësinë, për të mbajtur çmime të arsyeshme dhe për të investuar në standarde ndërkombëtare të menaxhimit. Për më tepër, përqendrimi i hapësirave bregdetare në pak duar mund të nxisë zhvillim të pakontrolluar urbanistik, betonizim dhe kufizim të aksesit publik në bregdet, duke dëmtuar imazhin e Shqipërisë si destinacion i hapur dhe i qëndrueshëm. Turizmi modern kërkon transparencë, konkurrencë dhe balancë mes fitimit privat dhe interesit publik; në të kundërt, rrezikohet që portet të shndërrohen në enklava ekskluzive me përfitim të kufizuar për ekonominë vendase dhe me ndikim afatgjatë negativ në markën turistike të vendit”, tha ajo.
Sipas saj qeveria e trajton Shqipërinë si pronë private që mund ta ndaj me miqtë e pushtetit, pa pyetur për kushtetutë dhe rregulla, ndërsa ftoi qytetarët që t’i bashkohen protestës së opozitës më 28 shkurt.

