Partia e Gjelbër fiton zgjedhjet e pjesshme parlamentare, për herë të parë në histori
Partia e Gjelbër në Britaninë e Madhe ka fituar për herë të parë në histori zgjedhjet e pjesshme parlamentare, duke triumfuar në zonën elektorale Gorton dhe Denton, në veriperëndim të Anglisë.
Fitorja përbën një goditje të rëndë për kryeministrin britanik Keir Starmer dhe Partinë Laburiste.
Kandidatja e të Gjelbërve, Hannah Spencer, këshilltare vendore siguroi 14,980 vota, me një epërsi prej 4,402 votash ndaj rivalit të saj.
Në vend të dytë u rendit kandidati i “Reform UK”, Matt Goodwin, me 10,578 vota, ndërsa laburistja Angeliki Stogia doli e treta me 9,364 vota – një rënie e ndjeshme krahasuar me 18,555 votat që kishte marrë Partia Laburiste në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2024.
Kandidatja konservatore, Charlotte Cadden mori 706 vota, ndërsa Liberal Demokratët 653.
Gara u zhvillua pasi ish-deputeti laburist Andrew Gwynne dha dorëheqjen për arsye shëndetësore.
Rezultati pritet të thellojë sfidën elektorale për Laburistët përpara zgjedhjeve vendore të majit, duke vënë në pikëpyetje pretendimin e tyre si alternativa kryesore kundër “Reform UK”.
Gjithashtu, vendimi i Starmer për të bllokuar kandidimin e rivalit të mundshëm për udhëheqjen e partisë, Andy Burnham, kryebashkiak i Mançesterit, pritet të rikthehet në qendër të debatit.

