Nisin hetimet për përleshjen fizike në një shkollë në Prishtinë, Drejtoria e Arsimit në pritje të raportit disiplinor

Një incident ka ndodhur në shkollën “Pavarësia” në Prishtinë, ku një mësimdhënës shihet duket goditur disa herë një nxënës, derisa ky i fundit reagon duke e goditur me shqelm në stomak.

Lidhur me rastin, zëdhënësi i Policisë së Kosovës për Rajonin e Prishtinës, Enis Pllana, ka konfirmuar për Telegrafin se mësimdhënësi dhe nxënësi janë shoqëruar në polici.

“Sot rreth orës 12:00 kemi pranuar informatën për një rast sulmi fizik të ndodhur në një shkollë fillore në Prishtinë”, tha ai.

“Menjëherë policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka shoqëruar në stacion policor palët e përfshira në rast”.

Pllana shtoi se policia, në koordinim me Prokurorinë, ka nisur hetimet për zbardhjen e rastit.

“Aktualisht policia në koordinim me Prokurorinë ka nisur një hetim për zbardhjen e rastit”, shtoi zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Prishtinës.

Telegrafi ka kontaktuar edhe drejtorin e Arsimit në Komunën e Prishtinës, Samir Shahini, i cili tha se janë në dijeni të rastit dhe se do të presin raportin e komisionit disiplinor të shkollës për të marrë hapat e mëtejshëm.

“Aktualisht jemi në dijeni për rastin e dhunës, por fillimisht duhet që përmes komisionit disiplinor të mblidhen të gjitha dëshmitë nga mësimdhënësi, nëse lirohet nga Policia e Kosovës, më pas të fillohet me dëshmi nga nxënësi dhe personat e pranishëm në vendngjarje”, tha ai.

“Në bazë të pamjeve, jemi në pritje të mbledhjes së informatave dhe më pas të thirret edhe prindi i nxënësit”.

“Në këtë rast duhet të shqyrtohet edhe se si ka filluar e gjithë ngjarja, të suspendohet më pas mësimdhënësi dhe procedurat tjera nëse duhet t’i ndërrohet shkolla apo t’i hiqet licenca”, shtoi Shahini.