Sali- Kavahara: Mbështetja japoneze kyçe për reformat dhe zhvillimin e Maqedonisë së Veriut
Shkup, 9 shkurt – Ministri për Çështje Evropiane dhe zëvendëskryeministri i parë, Bekim Sali sot zhvilloi takim me ambasadoren e Japonisë, Secuko Kavahara.
Në takim u theksua bashkëpunimi zhvillimor në vijim ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Japonisë, si dhe mbështetja e vazhdueshme e Japonisë për prioritetet reformuese dhe zhvillimin socio-ekonomik të vendit. Ministri Sali theksoi përkushtimin e Qeverisë për ofrimin e rezultateve konkrete në kuadër të Agjendës së reformave, me fokus të veçantë në forcimin e kapaciteteve institucionale dhe përmirësimin e cilësisë së shërbimeve publike.
“Bashkëbiseduesit diskutuan për zbatimin e projekteve aktuale të bashkëpunimit teknik, përfshirë iniciativat në fushën e zvogëlimit të rrezikut nga fatkeqësitë, transportin urban, mbështetjen e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme dhe zhvillimin e turizmit. U shkëmbyen mendime edhe për projektet e reja që lidhen me zbutjen e ndryshimeve klimatike në bujqësi dhe forcimin e kapaciteteve për reagim emergjent mjekësor dhe gatishmëri ndaj krizave”, theksohet në kumtesën e MÇE-së.

Ministri Sali shprehu mirënjohje për mbështetjen afatgjatë të Japonisë përmes ndihmës zyrtare zhvillimore, përfshirë grantet për projekte të vogla, të cilat kanë përfitime të drejtpërdrejta për komunitetet lokale në fushat e arsimit, shëndetësisë, mbrojtjes së mjedisit dhe shërbimeve publike.
Ai theksoi se Ministria për Çështje Evropiane do të vazhdojë bashkëpunimin e ngushtë me ambasadën e Japonisë dhe JICA, me qëllim koordinimin efikas të ndihmës zhvillimore dhe harmonizimin e saj me prioritetet reformuese dhe objektivat e procesit të integrimit evropian.

