Berisha: Kodi i ri është atentat madhor kundër fjalës së lirë

Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha, në një deklaratë për mediet sot, e cilësoi draftin e Kodit të ri Penal të propozuar nga qeveria si një atentat madhor kundër fjalës së lirë.

Berisha theksoi se Kodi i ri Penal “ka dalë nga shpellat e mafies”. Sipas Berishës, Kodi i ri Penal “shënon pothuaj dyfishimin e dhunës ligjore mbi qytetarët”.

“Edhe njëherë, narkoshteti nuk mund të mos hartonte narkokodin. Dje në një deklaratë publike, Prokurori i Përgjithshëm me kurajo denoncoi faktin se institucioni i tij apo ai si përfaqësues i akuzës në Republikën e Shqipërisë, nuk kishte asnjë dijeni për Kodin. Pra, kur unë ju deklarova se ai ka dalë nga shpellat e mafies, sigurisht që pati njerëz të cilët e përcollën me habi. Por, ja pra, unë u them të gjithë atyre që u habitën, tani që Prokurori i Përgjithshëm deklaron se institucioni i tij as që është pyetur ndonjëherë as për konsultë, as për mendim, kuptoni ju se çfarë përfaqëson Kodi që të vërtetë shënon pothuaj dyfishimin e dhunës ligjore mbi qytetarët”, tha Berisha.

Duke iu referuar nenit për ndikimin në pavarësinë e gjyqësorit, Berisha tha sot se shkohet deri në atë shkallë sa bëhet një nen, sipas tij, për të mbrojtur Altin Dumanin dhe Irena Gjokën.

“Burg për parkime, burg për faturat e dritave, burg për faturat e ujit, burg për ndërtimin në tokën tënde, në truallin tënd pra, dhe përgjysmim i dënimeve për zyrtarët abuzivë. Atentat madhor kundër fjalës së lirë, mendimit të lirë.

“Shkohet në atë shkallë sa bëhet një nen për të mbrojtur Altin Dumanin dhe Irena Gjokën. A mundet? Nuk besoj të ketë një vend në botë ku qytetarët, avokatët, të mos kenë të drejtë të denoncojnë dhe dënojnë padrejtësinë që iu bëhen në sallën e gjyqit. Absurditeti i Kodit tejkalon çdo kufi”, tha Berisha.