Izet Mexhiti: Nuk janë bërë bashkë për shqiptarin, por për Llotarinë e Soravinë, e për ta shpëtuar Alinë

Shkup, 20 qershor – Zëvendëskryeministri i parë dhe njëri nga liderët e koalicionit qeverisës VLEN, Izet Mexhiti, ka komentuar bashkimin e opozitës shqiptare në kuadër të Frontit Evropian, gjatë hapjes solemne të shtabit zgjedhor të VLEN-it.

Në një deklaratë të drejtpërdrejtë, Mexhiti theksoi se qëllimi i këtij bashkimi nuk është interesi qytetar apo ai shqiptar, por interesa të ngushta klanore dhe familjare.

“Ato nuk janë bë bashkë për qytetarin, nuk janë bë bashkë për shqiptarin. Ato janë bë bashkë për Llotarinë, janë bë bashkë për Soravinë, janë bë bashkë për ta shpëtu Alinë”, u shpreh Mexhiti.

Ai shtoi se VLEN do të vazhdojë të mbrojë interesat reale të qytetarëve dhe të punojë për transparencë dhe drejtësi, ku në zgjedhjet e ardhshme lokale VLEN do të arrin fitore bindëse.

“I fituam nëntë subjekte politike, tani me Taravarin 10, do të fitojmë edhe 10 parti. Ne po bëjmë atë që ata nuk na e kanë bërë për 20 vite. Sot kur shkarkohet gjykatësja që ka prekur gjuhën shqipe ata heshtin, sepse nuk kanë çfarë të flasin. Sot, që ata deri në vitin 2015 nuk kanë sjellë as ligj e asgjë tjetër për punësim. Për herë të parë pas 30 viteve po rregullojmë punësimin përmes një Ligji adekuat, dhe kjo po ndodhë përbrenda një viti. Ne po mbyllim edhe çështjen e medresantëve por jo me manipulime sikurse ata. Vetëm brenda një viti 226 faqe online të kazinove janë të mbyllura dhe po punojmë në mënyrë sistematike që të mbyllim këto vende nga lagjet tona. Nga këtu u them që Ali Ahmeti dhe BDI ta zgjedhin vitin e tyre më të mirë të punësimeve dhe jam i bindur që viti jonë është më i mirë për punësimin e shqiptarëve. Ata nuk janë bërë bashkë për qytetarin e as gjuhën shqipe ata janë bërë bashkë për ta shpëtuar soravinë llotarinë e Alinë”, tha zëvendëskryeministri, Izet Mexhiti.