Nga mbledhja e parë ndërqeveritare, te ndërlidhja energjetike Tetovë–Prizren!

Shkup, 20 qershor – Qeveria e re e Maqedonisë së Veriut, e udhëhequr nga kryeministri Hristijan Mickoski, ka dhënë sinjalin e parë të qartë për orientimin rajonal dhe prioritetet e bashkëpunimit të saj. Partneri i parë zyrtar me të cilin kjo qeveri ka zhvilluar mbledhje të nivelit të lartë është pikërisht Republika e Kosovës, me një takim ndërqeveritar që shënon fillimin e një faze të re në marrëdhëniet bilaterale mes dy vendeve. Simbolikisht dhe politikisht, kjo zgjedhje nuk është rastësi. Vizita e parë zyrtare në Shkup e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, pas formimit të qeverisë së re në Maqedoninë e Veriut, është një shenjë e qartë se fqinjësia e mirë dhe bashkëpunimi mes dyja vendeve  do të vijojnë të thellohen në interes të qytetarëve, shkruan Zhurnal.

Nga kufiri në energji projektet konkrete që flasin vetë –

Përtej deklaratave politike, është konkretësia e projekteve që e bën këtë bashkëpunim domethënës. Një nga rezultatet më të prekshme është vendosja e modelit One Stop Shop në dy pika kufitare me Kosovën një risi që po e lehtëson ndjeshëm lëvizjen e qytetarëve dhe mallrave, duke shkurtuar kohën e pritjes dhe duke përmirësuar efikasitetin e shkëmbimeve ndërshtetërore.

Por pa dyshim, projekti më strategjik i deritanishëm është ai energjetik. Marrëveshja e nënshkruar mes MEPSO-s së Maqedonisë së Veriut dhe KOSTT-it të Kosovës për ndërtimin e një linje të re interkonektive 400 kV Tetovë–Prizren është jo vetëm një arritje teknike, por edhe një hap i rëndësishëm politik për integrimin rajonal në sektorin e energjisë.

Ky projekt jo vetëm që do të rrisë kapacitetin e shkëmbimit të energjisë elektrike midis dy vendeve, por do të forcojë sigurinë energjetike dhe do të kontribuojë në tranzicionin drejt energjisë së gjelbër dhe një infrastrukture më të qëndrueshme.

Fakti që ky bashkëpunim nisi me Kosovën dhe jo me ndonjë shtet tjetër të rajonit, është një mesazh i rëndësishëm fqinjësia e mirë është një vlerë strategjike, jo vetëm një retorikë politike. Dhe kjo vlen veçanërisht në një rajon që shpesh është ndarë më shumë për shkak të historisë, sesa për shkak të interesave të qytetarëve.

Ky orientim për të ndërtuar ura reale bashkëpunimi me Kosovën vjen në një moment të ndjeshëm kur sfidat energjetike, ekonomike dhe të sigurisë në Ballkan kërkojnë përgjigje të përbashkëta dhe koordinim të mirëfilltë mes vendeve.

Kujtojmë qeë, mbledhja e parë ndërqeveritare me Kosovën dhe nënshkrimi i marrëveshjes për linjën Tetovë–Prizren janë sinjale që Qeveria e Mickoskit po kërkon të mbajë një qasje pragmatike, larg retorikës përçarëse dhe më afër interesave reale të qytetarëve. Në një rajon ku shpesh përparësitë politike ndërrohen me shpejtësi, është inkurajuese të shihet që një qeveri e re e nis kapitullin e saj me investime konkrete në bashkëpunimin ndërkufitar dhe integrimin energjetik. Mbetet të shihet nëse kjo frymë do të vijojë me të njëjtin intensitet edhe në projektet e tjera rajonale. Por një gjë është e qartë një fillim i mirë është gjysma e punës. /Zhurnal.mk