7,6 milion euro për 22 projekte tejkufitare mes Maqedonisë dhe Greqisë

Shkup, 4 maj – Ministri i Vetqeverisjes Lokale, Goran Milevski sot në Shtëpinë e oficerëve në Manastir do t’i nënshkruajë marrëveshjet për bashkëfinancim me shfrytëzuesit e granteve të projekteve të miratuara nga thirrja e dytë publike përmes Programit për bashkëpunim tejkufitar mes Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë.

Në kuadër të thirrjes së dytë të Programit, janë miratuar 22 projekte me vlerë të përgjithshme prej 7,6 milionë euro. Projektet kanë të bëjnë me tre sfera prioritare, zhvillim të ekonomisë lokale, parandalim dhe mbrojtje nga katastrofat natyrore, si dhe mbrojtjen e trashëgimisë natyrore dhe kulturore.

Ministria e Vetqeverisjes Lokale informoi se si koordinatore e IPA Programit për bashkëpunim tejkufitar siguron 15 për qind që i kërkon Bashkimi Evropian, si kusht që të shfrytëzohen mjetet në vend nga IPA instrumenti i Bashkimit Evropian.

Programi për bashkëpunim tejkufitar me Greqinë, siç thuhet, vlen të ceket edhe për shkak të digjitalizimit të tërësishëm të procedurës që e udhëheq Ministria e Vetqeverisjes Lokale me shfrytëzuesit e mjeteve.