650 afganë do të qëndrojnë në Maqedoni më së shumti 3 muaj

Shkup, 24 gusht – Ne kemi krijuar një sistem përmes të cilit marrim një listë me emra dhe të dhëna për refugjatët afganë, të cilët më pas kontrollohen nga Ministria e Brendshme dhe BSP dhe nuk kemi pse të shqetësohemi për rrezikun e sigurisë, siguron Këshilltari i Politikës së Jashtme në Qeveri , Edmond Ademi.
Tani për tani ende nuk tregohet se në cilat hotele dhe vendpushime do të strehohen përkohësisht gati shtatëqind refugjatë nga Afganistani, për të cilët qeveria maqedonase ka njoftuar se do të kujdeset. Është planifikuar që ata të qëndrojnë vetëm 90 ditë në vend, ndërsa në atë periudhë kohore transporti do të organizohet në një vend të tretë i cili do të jetë destinacioni i tyre përfundimtar. Të gjitha shpenzimet e tyre do të mbulohen nga qeveria amerikane.
Deri më tani, vetëm Shqipëria, Kanadaja, Kosova dhe Maqedonia kanë rënë dakord të ofrojnë strehim për gratë dhe fëmijët e udhëheqësve të shoqërisë civile afgane. Së pari do të meren gratë dhe fëmijët, të punësuar apo anëtarë të familjeve të punësuar nga misioni i KB në Afganistan, si dhe gra, fëmijë, të punësuar apo anëtarë të familjeve nga organizata humanitare, organizata për të drejtat e njeriut, gazetareske dhe lloje tjera të shoqatave të cilat në 20 vitet e fundit punuan në mbajtjen e paqes në Afganistan.
“Afganistani po përballet me një katastrofë të mundshme humanitare dhe kjo është arsyeja pse ne si Qeveri i kemi informuar partnerët tanë strategjikë Shtetet e Bashkuara se jemi në dispozicion për të ndihmuar në përputhje me aftësitë dhe nevojat tona,” tha kryeministri Zoran Zaev.
Këshilltari qeveritar për politikën e jashtme Edmond Ademi në një intervistë për Sitel TV tha se Qeveria ka krijuar një sistem përmes të cilit merr një listë me emrat dhe të dhënat për refugjatët afganë, të cilat më pas kontrollohen në Ministrinë e Brendshme dhe BSP.
“Nuk duhet të shqetësohemi për rrezikimin e sigurisë” siguron Ademi.
Ai theksoi se për momentin është një numër prej 643 personash, edhe pse, siç theksoi, Maqedonia mund të pranojë deri në 1.800 persona, por gjithçka varet nga situata në Kabul, pra sa do të mund të shpëtohen.
“Të gjithë këta njerëz do të procesohen në Shtetet e Bashkuara ose në vendet e treta. Ata tashmë punojnë për organizata dhe kompani ndërkombëtare me reputacion, dhe ne përkohësisht do të kujdesemi për to derisa atyre t’u lëshohen viza speciale emigrimi në Shtetet e Bashkuara. Në vendin tonë, në përputhje me Ligjin për të huajt, atyre do t’u lëshohet vizë për qëndrim deri në 90 ditë – tha Ademi.
Sipas tij, ambicia e këtyre refugjatëve është të vazhdojnë punën për kompanitë për të cilat kanë punuar deri më tani dhe për këtë arsye “nuk ka nevojë për lajme të rreme se do të krijohen vende pune për ta”.
“Bëhet fjalë për 650 persona që janë anëtarë të familjeve të punonjësve të Institutit Nacional Demokratik, Shoqëria e Hapur, Kombet e Bashkuara, por edhe gazetarë, intelektualë dhe ekspertë nga BBC, The New Yorker, Freedom House, si dhe studentë në universitete ndërkombëtare” përfundoi Ademi.