5 MAJI/ Në Akademinë e Sigurisë përurohet Memoriali i Dëshmorëve të Policisë! Nano: Vepër që i shtohet kujtesës kombëtare, nderim 225 të rënëve! Ministri: Kujdesemi për fëmijët e tyre

Ata që na deshën aq shumë sa dhanë dhe jetën e tyre. E ndjej veten tepër të përmbushur duke qenë pjesë e kësaj familje të madhe. Në kuadër të 5 Majit, Ditës së Dëshmorëve të Atdheut, për të përkujtuar dhe vlerësuar aktin sublim të punonjësve të Policisë, të rënë në krye e për shkak të detyrës, në Akademinë e Sigurisë mbahet ceremonia përkujtimore, pranë Memorialit të ri të Dëshmorëve të Policisë.

Aktiviteti zhvillohet te Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit. Gledis Nano, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit tha se me këtë memorial vendit i shtohet edhe një tjetër vepër kujtesës kombëtare.

I pranishëm në ceremoni ishte kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj. Bashkia ka dhënë kontributin e saj për financimin e kësaj vepre.

“Dikush vesh uniformën me stemën e policisë. Janë disa punë që janë në frontin e së keqes. Dhe për këta rojtarë të së mirës që dhanë jetën e tyre me vjen shumë mirë që bashkia e dha kontributin e saj. Ne duhet të jemi mirënjohës dhe krenarë për ta”, tha Veliaj.

Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi, tha se Qeveria kujdes për të gjithë familjarët e të rënëve.

“Të gjithë dëshmorët, nëse kanë rënë në luftë apo në kohë paqeje, kanë një gjë të përbashkët: e deshën Atdheun më shumë se jetën e tyre. Ata dhanë jetën për ta bërë Shqipërinë, Atdheun tonë, një vend më të sigurt. Ne zgjodhëm 5 Majin për tu përulur edhe një herë përpara veprës së këtyre 225 dëshmorëve të Atdheut, pjesë e trupës së policisë së shtetit. Ne, në shenjë mirënjohjeje, kemi garantuar pagë për çdo fëmijë nën moshën 18-vjeç të një dëshmorë të atdheut, shkollim deri në nivelin master. Dhe duke i garantuar një punë pasi të ketë mbaruar shkollën dhe pasi të ketë mbushur moshën nëse nuk do të ketë dëshirë të vazhdojë shkollën”, ka thënë Çuçi.