​21 të lënduar me fishekzjarre dhe mjete piroteknike në Kosovë. Njëri u plagosur me plumb qorr

21 persona janë lënduar me mjete piroteknike në Kosovë. Mësohet se në Shërbimin Emergjent pranë Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) janë trajtuar 21 raste të lëndimit nga shpërthimi i mjeteve piroteknike.

Dy prej tyre janë në gjendje më të rëndë, pasi një pacient është plagosur nga një plumb qorr, ndërsa tjetri ka marrë lëndime nga përdorimi i fishekzjarrëve. Njëri nga të lënduarit po vazhdon trajtimin në Klinikën e Kirurgjisë Plastike, ndërsa një tjetër në atë të Oftalmologjisë. Të lënduarit e tjerë, pas trajtimit janë liruar për në shtëpi.

“Diku janë 18 orë, deri tani kemi pasur 217 pacientë që kanë kërkuar ndihmë në Shërbimin Emergjent. Prej tyre 21 raste kanë qenë të lënduar me mjete piroteknike. Në këtë rast hyjnë edhe një që ka qenë me armë zjarri, domethënë me plumb qorr. Prej këtyre 21 rasteve, dy janë në gjendje të rëndë, kurse të tjerët janë trajtuar dhe lëshuar në shtëpi. Kurse dy janë pranuar, njëri në Klinikën e Kirurgjisë Plastike, një fëmijë të dyvjeçar, kurse tjetri në Klinikën e Oftalmologjisë, për shkak se e ka syrin në rrezik…Moshat janë fëmijë 6-vjeçar deri 60”, tha drejtori i Emergjencës, Naser Syla.