17 ditë nga vendosja e barrikadave, veriu ende i bllokuar

Barrikadat e vendosura në veri të vendit tash e 17 ditë vazhdojnë të qëndrojnë, ndërsa rrugët në drejtim të kufirit të Jarinjes dhe Bërnjakut janë të bllokuara.

Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës së Veriut, Besim Hoti për portalin rtv21.tv këtë të hënë tha se nuk ka ndonjë ndryshim.

“Nuk kemi ndonjë zhvillim”, tha shkurt Hoti në një përgjigje elektronike.

Disa serbë lokalë, që nga 10 dhjetori, kanë ngritur barrikada dhe kanë bllokuar rrugët që çojnë drejt pikave kufitare me Serbinë, Jarinjë dhe Bërnjak.

Barrikadat janë ngritur pasi Policia e Kosovës ka arrestuar ish-policin serb, Dejan Pantiq, nën dyshimet se ka qenë i përfshirë në një sulm kundër zyrtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Më 12 dhjetor se Pantiqit i është caktuar masa e paraburgimit prej një muaji.