14 maji/ Meta prezanton Indrit Hoxhën për Vorën: S’mund të mbajmë më në supe korrupsionin e Rilindjes
Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka prezantuar kandidatin për bashkinë e Vorës, Indrit Hoxha i cili vjen nga radhët e Partisë Demokratike. Meta theksoi se qytetarët e Vorës s’mund të mbajnë mbi shpatulla korrupsionin e Rilindjes, por duhet të votojnë për alternativën.
Sipas Metës, opozita do të shkojë drejt 14 majit me rezultate të trefishuara ndërsa ftoi socialistët t’i bashkohen opozitës.
“Të jeni të sigurt që ne do shkojmë drejt 14 majit me fuqi të dyfishuara dhe të trefishuara. Do i japim Rilindjes atë që meriton. I ftojmë socialistët e ndershëm që të na bashkohen. S’kanë pse të mbajnë në supe korrupsionin e Rilindjes, mos të mbajnë në shpatulla ato aktet e poshtra të tradhtisë të kryera nga Rilindja, por mbi të gjitha atë përpjekje për të zhbërë familjen shqiptare”, u shpreh Meta.
Duke shprehur mbështetjen për kandidatin Hoxha, Meta theksoi se Vora ka nevojë për investime për të rritur edhe punësimi pasi është afër Tiranës dhe aeroportit të Rinasit.
“Mbështetja ime për Indritin është e dyfishtë, e trefishtë. Vora është një parajsë. Është afër Tiranës, afër aeroportit. Është zona më industriale. Me pak transparencë dhe me pak ide për të tërhequr investitor serioz, nuk ngelet njeri pa punë, por këtu vijnë të punojnë nga Tirana, Kamza”, tha Meta në takimin e zhvilluar me strukturat e Partisë së Lirisë në Vorë.

