13 vite “Zhurnal” – të palëkundur në rrugën për të vërtetën!
Shkup, 6 shtator – Agjencia e Lajmeve “Zhurnal” ka mbushur plotë 13 vite që kur filloi për herë të parë të informojë publikun. E bazuar gjithmonë në misionin për të informuar drejtë, qartë dhe në kohë të duhur, “Zhurnal” shumë shpejt u bë media që fitoi besimin dhe simpatinë e lexuesve, si dhe media më e lexuar dhe më atraktive në Maqedoninë e Veriut dhe më gjerë. Tanimë me përvojën e krijuar “Zhurnal” është burim informacioni jo vetëm për qytetarët, por edhe për shumë media vendore e të huaja.
Për të qenë gjithmonë një hap para të gjithëve nuk është aspak e lehtë, e kjo sidomos kërkon angazhim dhe profesionalizëm të thellë nga stafi drejtues dhe gazetarët e epur për ekskluzivitet. E jo rastësisht, ekskluzivitetit i paraprinë “Zhurnal”, i cili në vazhdimësi është munduar të zbërthejë atë çfarë fshihet pas perdeve të deklaratave të thata të politikanëve dhe kumtesave të rëndomta që vijnë nga kancelaritë e tyre. Prandaj “Zhurnal” është dhe mbetet aty ku renditet gjithmonë, në majat e suksesit, në majat e mediave më të lexuara në Maqedoninë e Veriut dhe më gjerë.
Viteve të fundit u bë modë që çdo kush të hapte një portal, një faqe në rrjetet sociale apo një blog, e në këtë formë të luante rolin e gazetarit. Klikimeve me tituj të pakuptimtë, klikimeve me foto provokuese dhe klikimeve me “budallallëqe” të paskrupullta u vjen fundi shpejtë. Lexuesit janë ata që e diktojnë menjëherë seriozitetin e një media, prandaj ngjashëm siç hapen portale si “kërpudhat pas shiut”, ngjashëm shteren të njëjtat si “kërpudhave kur iu bie dielli”. E të mbetesh gjatë në “ringun” e mediave nuk është aspak e lehtë, prandaj vetëm profesionalizimi i vërtetë e bën një media t’i prijë konkurrencës së paskrupullt.
Media e gazetaria nuk është vetëm informim “ad-hok” por është më shumë se një mision. Media përçon porosi, krijon vlera dhe zhduk antivlera. Media duhet të jetë gjithmonë zëri i popullit, zëri i qytetarëve dhe jo t’i drejtojë qytetarët verbërisht pas një kauze që nuk është në interes të tyre. Andaj, roli i medias është qenësor për zhvillimin e një demokracie reale, pa korrupsion, pa lajka, pa dallavere. “Zhurnal” ka ditur dhe do të di të godasë gjithmonë aty ku është nevoja, gjithmonë kundër atyre që manipulojnë me vullnetin dhe interesin e qytetarëve, gjithmonë kundër atyre që shkelin interesin kombëtar për interes personal.
Të nisur nga parimet për korrektësi në informim, “Zhurnal” u premton lexuesve se edhe në të ardhmen do të qëndrojë i palëkundur në rrugën për të vërtetën dhe vetëm të vërtetën!
Sot, “Zhurnal” është krenar që ka këta lexues të denjë dhe besnik, e kështu do të mbetemi gjithmonë. Gëzuar!

