100 ditë Qeveri – kushtuar krijimit të kushteve për një jetë dhe të ardhme më të mirë evropiane

Shkup, 27 prill – Ballafaqimi me krizën energjetike, efektet e luftës në Ukrainë, mbrojtja e standardit jetësor të qytetarëve dhe përkrahja për kompanitë, realizimi i projekteve të mëdha infrastrukturore, por edhe rruga e integrimeve evropiane, që është synimi strategjik i vendit, janë gjërat që kanë qenë në fokus të Qeverisë së kryeministrit Dimitar Kovaçevski në 100 ditët e para të funksionimit.

Qeveria mbetet në një qëllim të qartë – të sigurojë siguri dhe vazhdimësi në krijimin e kushteve për jetë më të mirë, si dhe të ardhme evropiane dhe prosperuese për qytetarët, tha kryeministri Kovaçevski në seancën e djeshme tematike të qeverisë.

“Këto ishin 100 ditë sfidash – ditë të krizës shëndetësore, energjetike, ekonomike dhe ushtarake dhe qëllimi kryesor ishte ruajtja e standardit të qytetarëve. Vështirë do të vazhdojë, sepse kriza është ende e pranishme, por me një plan të qartë dhe masa të qarta që i zbatojmë dhe përmes dialogut me të gjitha palët e interesit, është e sigurt se Republika e Maqedonisë së Veriut do të dalë fitimtare nga këto sfida, tha Kovaçevski.

Lista e masave dhe politikave të miratuara nga kjo Qeveri në 100 ditët e para është e gjatë, tha Kovaçevski, duke theksuar se në tri javët e para të punës është realizuar premtimi për ngritjen e pagës minimale në 18 mijë denarë dhe se është siguruar rritje e vazhdueshme e pensioneve, por edhe mbrojtja e qytetarëve nga rritja e çmimeve me paketën e masave kundër krizës në vlerë totale mbi 400 milionë euro, ndikimi i të cilave arrin në 615 milionë euro.

Politika cilësore shëndetësore, ulje të çmimeve për rreth 230 barna, punë e përkushtuar dhe e motivuar e policisë, investime për kushte më të mira për çdo pjesëtar të Ushtrisë në përputhje me standardet e NATO-s, lëshimi i certifikatave elektronike përmes portalit kombëtar uslugi.gov.mk, investimet në infrastrukturën rrugore dhe hekurudhore, ndërtimin dhe shpërndarjen e banesave sociale, planin kombëtar për prodhimin e ushqimit në vlerë prej 400 milionë denarë, për vitin 2022 janë ndarë 536 milionë denarë për investime në kulturë dhe janë nënshkruar kontrata në vlerë prej 5,5 milionë euro për përmirësimin e kushteve për mbrojtjen e mjedisit jetësor , për rritjen e lëvizshmërisë, përmirësimin e shërbimeve sociale dhe futjen e shërbimeve elektronike në disa komuna, si dhe një termocentral të ri fotovoltaik Oslomej, pjesëmarrja në projektin për ndërtimin e terminalit të gazit të lëngshëm natyror në Aleksandropoli në Greqi janë vetëm disa nga gjërat që theksoi Kovaçevski, duke folur për punën e Qeverisë në tre muajt e parë.

Lufta në Ukrainë, tha Kovaçevski, tregoi se politika e dyerve të hapura të NATO-s ishte një arritje historike që siguroi paqe dhe siguri të qëndrueshme në të gjithë kontinentin evropian, ndërsa zgjerimi i BE-së do ta rrisë sigurinë dhe do të konsolidon demokracinë.

Kovaçevski në fjalimin e tij si kryetar i Qeverisë bëri thirrje që të ngrihen zhvillimet ditore politike dhe të bashkohen rreth prioriteteve në shoqëri.

“Dialogu është mënyra e vetme për arritjen e zgjidhjeve. E shfrytëzoj këtë rast të bëj apel që të ngrihemi mbi nxitjet kalimtare, ditore për pikë politike të cilat nuk kanë në fokus qytetarët dhe prosperitetin e shoqërisë sonë. Të gjejmë forca dhe motivim që t’i tejkalojmë dallimet, të bashkohemi rreth prioriteteve dhe shpejtë të përparojmë”, porositi Kovaçevski.

Partia më e madhe opozitare VMRO-DPMNE, në kumtesën për media, ka reaguar ndaj deklaratës së Kovaçevskit, duke theksuar se qeverisja e re është vazhdimësi e sundimit dhe zakoneve të pesë viteve të kaluara dhe paralajmëroi se së shpejti do të dalin me një analizë të detajuar për qeverisjen e kësaj qeverie.

Duke komentuar punën e Qeverisë, deputeti i Aleancës për Shqiptarët, Elmi Aziri, tha dje se 100 ditët e para të Qeverisë janë shenja që nuk japin asnjë shpresë për këtë vend. Sipas Azirit, këto 100 ditë fatkeqësisht kanë rritur bindjen e qytetarëve, veçanërisht të të rinjve, se është e vështirë të jetohet në Maqedoninë e Veriut me këtë qeverisje dhe mentalitet.