Zyra e Migracionit “vlerëson” nëse këngëtarja kosovare di të këndojë ose jo

në kategorine Diaspora

Arsyetimi i zyrës në fjalë është shkatërrues: “Bytyqi nuk është një këngëtare shumë e kualifikuar. Veç kësaj, shkalla e pretenduar e lartë e njohjes që gëzon ajo në vendin e saj, nuk është dëshmuar mjaftueshëm”

E Premte, 2 Gusht 2019 – 10:23
albinfo.ch

Një këngëtareje shqiptare nga Kosova, që kultivon muzikën foklorike, i është ndaluar ardhja në Zvicër. Kjo ndalesë i është shqiptuar pas plot 15 vitesh që ajo vinte rregullisht dhe këndonte në lokalet e shqiptarëve të këtushëm. Çuditërisht kërkesës së saj rutinore për lejen përkatëse të shkurtë të qëndrimit në Zvicër, në tetor të vitit të kaluar Zyra për Migracion e Kantonit të Cyruhut i është përgjigjur negativisht.
Bëhet fjalë për këngëtaren Xhevahire Bytyqin, e cila do të këndonte në lokalin “Club Villa Miami” të Ramadan Millakut, në Glattbrugg të Cyrihut, shkrusn gazeta Neue Zürcher Zeitung.
Arsyetimi i zyrës në fjalë është shkatërrues: “Bytyqi nuk është një këngëtare shumë e kualifikuar. Veç kësaj, shkalla e pretenduar e lartë e njohjes që gëzon ajo në vendin e saj, nuk është dëshmuar mjaftueshëm” transmeton albinfo.ch.
Me fjalë tjera, këngëtarja nga Prizreni, është, sipas zyrës për Migracion, “tepër e keqe” për t`u prezantuar në Zvicër, shkruan NZZ.
Ndërsa Millaku si pronar i lokalit, është shumë i dëshpëruar me vendimin e Zyrës së Migracionit. Ai thotë se një veprim i tillë do t`ia shkatërrojë biznesin, duke qenë se vendime të tilla, negative, i kanë ardhur edhe për këngëtarë tjerë, me të cilët ai e mban gjallë lokalin.
Arsyeja përse gazeta e përmendur merret me një temë të tillë qëndron në statusin jo shumë të qartë të këngëtarëve dhe artistëve që vijnë në Zvicër nga vendet e treta si dhe në abuzimet që ndodhin me këtë status.
“Në fakt, udhëzimi i Zyrës për Migracion kërkon që muzicientët nga vendet e treta që kërkojnë leje qëndrimi të shkurtë në Zvicër, duhet të dëshmojnë se do të ofrojnë prezantim cilësor muzikor në nivel të lartë. Ata, vërtet që nuk detyrohen të këndojnë në lokalet e zyrës në fjalë por duhet të sjellin një dëshmi për kualifikimet e tyre”. Këtë e kishte bërë edhe Xhevahire Bytyqi. Ajo kishte sjellë një vërtetim të një shoqate kosovare, sektorit për këndim dhe vallëzim të së cilës Xhevahirja i takon nga viti 2000, përcjell albinfo.ch. Veç kësaj ajo ka qenë në mënyrë të rregullt e pranishme si këngëtare në Zvicër që prej 15 vitesh.
Por, Zyrës për Migracion, nuk i mjaftoi e gjithë kjo. Punonjësit e zyrës kanë hulumtuar në youtube, ku kanë gjetur se videot muzikore të këngëtares në fjalë janë kërkuar në mes 3500 dhe 31.000 herë, shifër kjo e ulët sipas zyrës në fjalë, për ta konsideruar këngëtaren si “të njohur dhe shumë mirë të kualifikuar”.
Edhe Drejtoria për Siguri e Cyrihut, si instancë ku është bërë ankesa, ka vendosur njësoj sikur zyra e përmendur. Kjo, përkundër faktit se këngëtarja ndërkohë kishte sjellë edhe dokumente të tjera që dëshmojnë veç tjerash se ajo ka një diplomë të shkollës së mesme të muzikës, transmeton albinfo.ch. Por, as kjo nuk i ka mjaftuar drejtorisë së sigurisë, e cila e ka hedhur poshtë ankesën.
Millaku e ka ngritur çështjen edhe në Gjykatën Administrative. Por, pa ndonjë rezultat. Gjykata në fjalë e ka hedhur po ashtu poshtë ankesën e tij.
Sipas vendimit gjyqësor, lejet për qëndrim të shkurtë jepen në parim vetëm për personat e kualifikuar. Në veçanti mund të jepen leje për angazhime disa javëshe për muzicientë pjesëtarë orkestrash ose këngëtarë mjuzikli. Si muzikantë të kualifikuar konsiderohen ata që mund të dëshmojnë se kanë mbaruar shkollimin e lartë profesional. Po ashtu ata duhet të sjellin dëshmi për krijimtarinë e tyre shumëvjeçare artistike si numrin e albumeve të shitura, koncertet etj. Këto dëshmi, Millaku dhe Bytyqi nuk i kishin sjellë.
Fakti që autoritetet janë bërë aq kërkuese në këtë drejtim ka të bëjë me abuzimet që kanë ndodhur. Janë shënuar raste kur është ngatërruar fusha e rregullimit të kësaj çështjeje me atë të prostitucionit. Bëhet fjalë për statusin e ashtuquajtur të valltareve të kabareve. Ky status ishte vendosur para 25 viuteve për të mbrojtur gratë në bare kontakti. Por me kohë rezultoi se ky status e bënte të kundërtën: favorizonte diskriminimin e grave dhe trafikun me qenie njerëzore. Kjo ka qenë arseja që ky status të hiqej në vitin 2016, përcjell albinfo.ch. Me pasojat përkatëse, nga të cilat, në cilësinë e viktimave të “dëmit kolateral” po vuajnë pa faj, aktualisht veç të tjerëve edhe Millaku dhe Bytyqi.
Millaku, pas shumë procesve gjyqësore, është dorëzuar dhe thotë se ndodhet para një të ardhme të pasigurt lidhur me lokalin që udhëheq.
27 vite ka punuar rëndë në Zvicër, ka paguar tatimet dhe ka ngritur një të ardhme. Por tani, 48 vjeçarit i është bërë mjaft. “Edhe katër vite do të vazdhoj këtu, pastaj do të kthehem në Kosovë”.

Burimi: https://www.albinfo.ch

©MEDIAL.MK Derisa keni vendosur të merrni përmbajtje nga kjo faqe, në tërësi pajtoheni me /KUSHTET E PËRDORIMIT/.