Kandidati për kryetar të Komunës së Strugës, Istrefi takohet me përfaqësues të OSBE/ODIHR

Strugë, 28 shtator 2021 (MIA) – Tejkalimi i problemit me parregullsitë në procesin zgjedhor në Komunën e Strugës ishte temë kryesore në takimin e sotëm të kandidatit për kryetar të komunës nga Aleanca për shqiptarët dhe Alternativa, Idri Istrefi me ekipin vëzhgues të OSBE/ODIHR-së.

“Në ciklet e kaluara zgjedhore jemi përballur me një sërë parregullsish. Shpresoj se tani me ndryshimet në Kodin zgjedhor dhe vendosjen e aparateve për shenja të gishtit do të pakësohen parregullsitë dhe do të ketë siguri më të madhe”, theksoi Istrefi.

Ai foli edhe për vizionin, siç tha, ta kthejë Komunën e Strugës, si servil për qytetarët, e jo pronë e një personi.

“Do të punoj t’ua kthej besimin e humbur qytetarëve, Komuna e Strugës sërish të jetë servil i tyre, e jo si deri më tani, pronë e kryetarit aktual”, shtoi Istrefi.

Në takim u shpreh shqetësimi për përfaqësimin e grave në procesin zgjedhor dhe përqindjen e ulët të kandidatëve për kryetar komune, për çka kandidati Istrefi premtoi se nëse bëhet kryetar i Komunës së Strugës, një nga vizionet e tij është gratë të përfaqësohen në të gjitha funksionet dhe trupat vendimmarrës.