Zëvendës ambasadori zviceran vizitoi Kodrën e Diellit
Tetovë, 4 Prill – Zëvendës ambasadori i Zvicrës në vend, Lucien Aegerter sot ka qëndruar për vizitë në Kodrën e Diellit në Tetovë. Gjatë kësaj vizite ai ka ngelur shumë i mahnitur nga bukuritë e Sharrit.
Sot pata nderin dhe kënaqësinë e veçantë të jem nikoqir i zëvendësambasadorit të Zvicrës, Lucien Aegerter, si dhe i përfaqësuesve nga programi IME për rritjen e punësueshmërisë në vend, Tanja Georgievska dhe Zoran Todorovski, ka njoftuar kështu drejtori Avziu.

Në takim u diskutua për projektet e mundshme të ardhshme për zhvillimin e turizmit aktiv, të financuara nga fondet zvicerane dhe për prioritetet e Qendrës së Skijimit “Kodra e Diellit”, së bashku me hotelet “Sllavija” dhe “Kodra e Diellit”, si dhe mundësitë për rrjetëzim dhe krijim të partneritetit ndërmjet të gjitha palëve të interesuara në ofertën turistike të Kodrës së Diellit.
Qëllimi i këtij bashkëpunimi është krijimi i kushteve më të mira për sezonin e dimrit dhe krijimi i përmbajtjeve atraktive për sezonin e ardhshëm veror!

