Zbulohen detajet e reja të HONDA E

në kategorine Auto

Prodhuesi i njohur japonez i veturave, Honda, do të ofrojë modelin e saj të parë elektrik për konsumatorët në Evropë deri në fund të këtij viti, kryesisht për vozitje në zonat urbane.

Prototipi Honda E është prezantuar në panairin e Gjenevës dhe versioni serik nuk do të jetë shumë i ndryshëm nga ky prototip.

Honda ka njoftuar se vetura e re urbane që do të shfaqet më vonë këtë vit për shitje, do të përdorë bateritë litium-jon me kapacitet prej 35.5 kWh.

Bateritë janë të vendosur në pjesën qendrore të veturës, midis rrotave të përparme dhe të pasme, dhe inxhinierët e Hondës arritën shpërndarjen ideale masive në boshtet, 50:50.

Tani për tani, fuqia totale e Honda E nuk është zbuluar por dihet se do të jetë në dispozicion me sistemin e tërheqjes me vetëm rrotat e pasme.

Gjithashtu, Honda njoftoi se bateritë mund të mbushen duke përdorur mbushësin Tipi 2 AC, si dhe mbushësin e shpejtë “CCS2 DC”, në sajë të të cilit bateritë mund të mbushen deri në 80 % brenda gjysmë ore.

Me vetëm një mbushje të baterive, Hond E mund të udhëtojë rreth 200 kilometra, gjë që është e mjaftueshme për përdorim të përditshëm në zonat urbane, por edhe për ekskursione më të shkurtra jashtë qytetit, thotë prodhuesi japonez.

Honda, po ashtu, ende nuk e ka zbuluar datën e lansimit të këtij modeli elektrik për qytet në tregun evropian, dhe sipas kompanisë, 31.000 blerës të interesuar në Evropë tashmë janë regjistruar./ksp

©MEDIAL.MK Derisa keni vendosur të merrni përmbajtje nga kjo faqe, në tërësi pajtoheni me /KUSHTET E PËRDORIMIT/.