Zaev: Nacionalizmi dëmton shoqëritë, patriotizmi i nxitë qytetarët të punojnë për të ardhmen

Shkup, 10 nëntor – Nacionalizmi mund t’u sjellë disa përfitime politikanëve që inkurajojnë këto lloj ndjenjash, si rritja e popullaritetit, ruajtja e pushtetit dhe zhvendosja e vëmendjes nga politika e brendshme, por në fund dëmton thellësisht shoqëritë, thotë ish-kryeministri Zoran Zaev në një intervistë për rrjetin akademik për mbështetjen e politikës së BE-së ndaj Ballkanit Perëndimor.

“Nacionalizmi mund të shkatërrojë vendin tim nga brenda, por mund të dëmtojë edhe marrëdhëniet e Maqedonisë së Veriut me Greqinë dhe Bullgarinë, sepse provokimet dhe retorika nacionaliste mund t’u ofrojnë kryeministrave të Greqisë dhe Bullgarisë arsye të mjaftueshme për të marrë masa kundër nesh për të mbrojtur dinjitetin e tyre dhe krenarinë. Pra, nacionalizmi nuk kontribuon në krijimin e miqësive, nuk inkurajon marrëdhënie, nuk siguron një të ardhme të begatë, thotë Zaev.

Ai tërheq një paralele midis nacionalizmit dhe patriotizmit, duke theksuar se ndryshe nga nacionalizmi, patriotizmi u jep njerëzve një nxitje të fortë për të punuar drejt një të ardhmeje më të mirë.

“Maqedonia e Veriut është krenare për historinë tonë, por ajo që është më e rëndësishme është e ardhmja. E ardhmja është diçka që duhet të garantojmë dhe përmirësojmë. Kam shumë frikë nga nacionalizmi, ndoshta sepse jam nga Ballkani Perëndimor. Unë jam i vetëdijshëm për atë që ka ndodhur në pjesë të tjera të botës për shkak të nacionalizmit, dhe politika e nacionalizmit kur radikalizohet, e shoqëruar nga populizmi, mund të bëhet definitivisht shkatërruese. Ka shumë helme në botë, por një nga më të këqijat është nacionalizmi. Ata që e përdorin atë për të kënaqur interesat egoiste politike ndonjëherë harrojnë të pastrojnë duart dhe të helmojnë gjithçka, duke përhapur armiqësi në shoqëri, thotë Zaev.

Në intervistë, Zaev ka folur edhe për Marrëveshjen e Prespës, të cilën e ka arritur me ish-kryeministrin grek Alexis Tsipras, duke vlerësuar se ky dokument paraqet një sukses të vërtetë, sepse na dha mundësinë të demonstrojmë aftësinë tonë për t’i zgjidhur çështjet e politikës së jashtme në mënyrë paqësore.

Ai thekson se BE-ja dëshiron të shmangë importimin e problemeve dypalëshe, ndaj duke normalizuar marrëdhëniet e vendit me Greqinë, është hequr një pengesë e rëndësishme që i ka bllokuar rrugën drejt integrimit dhe inkorporimi i vlerave evropiane në vend mund të kontribuojë vetëm në bashkimin demokratik të të gjithë kontinentit.

“Ne treguam përkushtimin tonë të fortë ndaj vlerave të demokracisë, dialogut dhe kompromisit. Prandaj, mendoj se ne vetëm mund t’i shtojmë vlerë Bashkimit Evropian. Konkretisht ekziston një kusht sipas të cilit nuk mund të realizohet aderimi i një vendi përderisa ka probleme bilaterale me vendet anëtare”, thekson Zaev.

Ai thotë se përkundër përfitimeve të mëdha të Marrëveshjes së Prespës, gjatë harmonizimit të saj më e rëndësishme ishte mbrojtja e identitetit maqedonas, por edhe mendimi për të ardhmen më të mirë të qytetarëve, duke përjashtuar rëndësinë e karrierës politike.

“Unë dhe Alexis Tsipras nuk do të pendohemi kurrë për kompromiset që bëmë, sepse qytetarët e të dyja palëve e dinë se jo vetëm “mosmarrëveshja dekadëshe” ka gjetur një zgjidhje përfundimtare, por ka hapur edhe rrugën për një partneritet strategjik mes dy vendeve. Marrëveshja ofron një kornizë të tërë që mundëson bashkëpunim në të ardhmen”, thotë Zaev.

Lidhur me anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në NATO, Zaev thekson se ai është veçanërisht i rëndësishëm për vendin, por edhe për të gjithë Ballkanin Perëndimor, sepse rajoni është multietnik dhe plot konflikte që janë gjeneruar gjatë historisë, informon Zhurnal.

“Para 18 vitesh vendi im përjetoi një konflikt, vdiqën shumë njerëz, të rinj, pa përmendur Kosovën dhe Serbinë, Bosnjë e Hercegovinën, Kroacinë, Slloveninë…, prandaj ka çështje shumë të ndjeshme në këtë rajon. Kjo është arsyeja pse nevojitet më shumë siguri. Të jesh anëtar i NATO-s nuk do të thotë vetëm siguri për vendin tonë, por ka një ndikim të madh pozitiv edhe në rajon. Përveç kësaj, ka grupe të ndryshme fetare në të gjitha këto vende dhe ka rrezik për radikalizëm fetar. Përveç kësaj, Ballkani Perëndimor përbëhet nga vende në zhvillim dhe ka varfëri të madhe. Të gjithë këta faktorë lehtë mund të shkaktojnë konflikte”, thotë Zaev.

Prandaj, sipas ish-kryeministrit, NATO do të thotë paqe e brendshme, stabilitet, siguri, kushte që favorizojnë menjëherë zhvillimin ekonomik, përmirësojnë besueshmërinë tonë financiare dhe mundësojnë vende të reja pune.

I pyetur nëse ka ndikim rus në vend, Zaev thekson se propaganda nga Moska është e pranishme në të gjithë rajonin, përfshirë Maqedoninë e Veriut dhe se Rusia kundërshton zgjerimin e NATO-s dhe ruan interesat e saj politike, ekonomike dhe energjetike.

Pyetja kryesore është se ku vendosim të shkojmë, me kë të rrisim bashkëpunimin. Ne jemi një vend i vogël dhe është mirë të bashkëpunojmë me të gjithë. Megjithatë, Rusia, Kina dhe Lindja e Mesme duhet ta dinë se ne kemi marrë vendimin tonë, bazuar në të drejtën tonë sovrane, për të qenë pjesë e NATO-s dhe Bashkimit Evropian. Pse? Sepse kjo do të na japë një jetë më të mirë. Do ta pranojnë plotësisht, shpresojmë dhe do të na japë mundësinë të bashkëpunojmë me të gjithë, por sigurisht pa e rrezikuar pjesëmarrjen tonë në NATO dhe në Bashkimin Evropian”, shton Zaev./Zhurnal.mk