Ymeri: Nga lartë kanë ardhur direktivat, nuk ka rrëzim të qeverisë derisa mbaron dialogu

Ymeri në “Debat Plus” ka thënë se për fat të keq deri më tani në tavolinë kemi shkëmbimin e territoreve apo asociacionin.

“Opsioni i parë është shkëmbimi i territoreve që herë vdes e herë ngjallet. Ide tjetër është ideja e Asociacionit, e cila herë vdes e herë ngjallet. Opsion të tretë nuk kemi për fat të keq. Kosova do të duhej ta propozonte një opsion të tretë”, tha ai.

Duke folur për situatën aktuale politike, Ymeri thotë se dialogu nga viti 2010 ka dëmtuar demokracinë në Kosovë.

“Nëse ka intensitet dialogu kjo qeveri nuk rrëzohet, në të kundërtën qeveri rrëzohet dhe kemi zgjedhje në vjeshtë apo pranverë”.

Megjithatë analisti thotë se dialogu edhe nëse tash ndërpritet ai do të vazhdojë pas një kohe domosdoshmërisht pavarësisht nëse e duam apo jo deri në njohje.

“Kurdo që mbahen zgjedhjet Vetëvendosje do t’i fitojë zgjedhjet. Mirëpo kandidati që do t’i fitojë zgjedhjet nuk e do dialogun dhe kjo përbën problem për ata që e duan dialogun që janë SHBA dhe BE…Nga lart vijnë direktivat se nuk ka rrëzim të qeverisë derisa kryhet dialogu”.

Ymeri thotë se PDK nuk është e interesuar ta rrëzoj qeverinë.

“PDK nuk po angazhohet ta rrëzojë qeverinë. Ne e dimë kur PDK angazhohet të rrëzojë qeverinë si sillet”, tha mes tjerash Visar Ymeri.