Xhaferi: Procedura për ndryshime kushtetuese mund të fillojë, ndërkohë edhe të zhvillohet dialogu politik

Shkup, 30 maj- Nga momenti i dorëzimit të iniciativës për ndryshime kushtetuese në Kuvend deri në miratimin e tyre nevojiten minimum 4,5 muaj. Procesi mund të fillojë edhe pa arritur dialog politik dhe të shfrytëzohen tridhjetë ditët deri në votimin e parë për arritjen e marrëveshjes, theksoi në brifingun e sotëm me gazetarët, kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi. 

“Proceduralisht nuk është pengesë që të fillojë procesi dhe të vazhdojnë bisedimet për konsensusin politik. Nuk është mision i pamundur duke pasur parasysh këto afate. Dhe përderisa rrjedhin ato afate kemi kohë për debate. Proceduralisht është e mundur”, tha kryetari i Kuvendit. 

Duke dhënë mendimin e tij personal ai tha se procesi duhet të fillojë dhe të mbarojë.

“Konsensusi është i pashmangshëm në këtë procedure, sepse asnjë procedurë nuk mund të kalohet pa atë konsensus”, tha Xhaferi. 

Në këtë rast, shton ai, kjo tashmë kalon interesat e shumicës. “Ky nuk është më interesi vetëm i shumicës, ky është interes i shtetit dhe qytetarëve. Shteti për 30 vite ka punuar shumë për të arritur dy qëllimet strategjike që ishin përcaktuar që në kohën e pavarësisë, kjo është mundësia”, tha Xhaferi.

Xhaferi shton se nëse nuk ka dy të tretat në votimin e parë, procedura do të ndërpritet. Për atë nëse në një skenar të tillë do të kishte zgjedhje, Xhaferi thotë se që kjo të ndodhë duhen 61 vota për shpërndarjen e Parlamentit.

Nga arritja e iniciativës për ndryshime kushtetuese në Kuvend, nevojiten 30 ditë që ajo të shqyrtohet, pas së cilës do të mbahet seancë plenare në të cilën duhet të votohet.

Nga numri i përgjithshëm i deputetëve 40 janë pjesëtarë të komuniteteve, ndërsa prej tyre për këto do të nevojiten votat e 21 deputetëve të komuniteteve.

Lidhur me procedurën e mëtutjeshme, ai tha se pasi të votohet nisma, kthehet përsëri në Qeveri me një konkluzion në të cilin caktohet një afat. Më pas teksti -drafti i amendamenteve kushtetuese, propozuesi e dorëzon deri te kryetari i Kuvendit i cili e dorëzon deri te deputetët dhe presidenti i Republikës më së voni 30 ditë para mbajtjes së seancës së Kuvendit.

Amendamente mund të paraqiten vetëm për ato që i nënshtrohen ndryshimeve të Kushtetutës dhe atë të drejtë e ka deputeti, trupi punues dhe Qeveria si propozues, më së voni tetë ditë para seancës së Kuvendit. Kuvendi me shumicë votash nga numri i përgjithshëm i deputetëve, përcakton draftin e çdo amendamenti të Kushtetutës. Pas kësaj, vijon debat publik e cila nuk mund të jetë më shumë se 30 ditë. Më pas Qeveria paraqet propozimin për amendamente në Kuvend i cili duhet të pranohet nga Komisioni për Çështje Kushtetuese, i cili më pas dërgon në seancë raport me tekst propozim të plotësuar dhe për të çdo deputet mund të iniciojë amendament, por jo amendament të ri, por për të njëjtën çështje. Që të votohen propozim- amendamentet nevojiten 80 vota.

“Teksti i amendamenteve miratohet me 61, ndërsa miratimi i amendamenteve në fund me shumicë prej dy të tretash”, sqaroi Xhaferi.