Volkswageni publikon fotografitë zyrtare të California T6.1, së shpejti prezantohet (FOTO)

në kategorine Auto/Lajme

Më herët këtë vit, Volkswagen ka prezantuar versionin e përditësuar të gjeneratës aktuale të modelit Transporter, gjegjësisht Transporter T6.1, duke përfshirë edhe versionin për udhëtim Multivan.

Anëtari më i ri i familjes T6, në radhë për facelift, është versioni California dhe ky prodhues prestigjioz gjerman tani ka publikuar edhe një set fotografish me të cilat paralajmëron premierën e këtij modeli.

Volkswagen California T6.1 vjen me karakteristikat kryesore të Multivanit, mbi të cilin është edhe i bazuar, transmeton Koha.net. Më saktësisht, ndryshimet përfshijnë maskën e përparme më të madhe, dritat e përparme të reja, si dhe mbrojtësi i ri i pasmë me dritat për mjegull të ridizajnuara.

Ky Transporter i ri veçohet me interierin e tij. Interieri i California T6.1 është i përmirësuar dhe njësia kontrolluese shumëfunksionale e vendosur në konzolën e çatisë është ridizajnuar dhe digjitalizuar. Ashtu sikurse te Multivan, pjesa e përparme e interierit është e pajisur me pajisjet e reja teknologjike dhe sistemin e ri për argëtim dhe informim (infotainment), si dhe me instrument-tabelën digjitale.

Nga risitë teknologjike duhet theksuar timonin e ri elektro-mekanik i cili mundëson përdorimin e sistemeve të sigurisë, të tilla si sistemin për drejtimin e automjetit në një korsi, sistemin për vozitje me rimorkio, si dhe sistemin për këndin e vdekur, etj, përcjell Koha.net. Sa i përket motorit, California T6.1 do të jetë në dispozicion me motor 2.0-litër TDI i cili në versionin më të fuqishëm do të jetë me kapacitet prej 146 kW/199 kuajfuqi.

Gjithashtu, ky furgon i ri i Volkswagenit pritet të mbajë premierën ka fundi i këtij muaji në Dusseldorf, Gjermani, në panairin e automjeteve për kamping.

Volkswageni njofton se me 18.000 njësi të shitura vitin e kaluar, e bënë Californian modelin më të shitur në segmentin e vetë. Po ashtu, vitin e kaluar është prodhuar edhe California jubilar i njëqindmijtë. Në tërësi, që nga viti 1950, familja Transporter ka arritur të shesë rreth 12 milionë njësi.

©MEDIAL.MK Derisa keni vendosur të merrni përmbajtje nga kjo faqe, në tërësi pajtoheni me /KUSHTET E PËRDORIMIT/.