Vizitat falas në muze, QRTK në Prizren dhe Dokufest me memorandum bashkëpunimi

Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren do t’iu ofrojë hyrjen falas mysafirëve të Dokufest gjatë ditëve të festivalit, nga data 06-14 gusht në muzetë si Kompleksi Monumental i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, Muzeu Arkeologjik i Regjionit të Prizrenit si dhe Ekspozita në Kalanë e Prizrenit.

Kjo është bërë e ditur me rastin e nënshkrimit të sotëm të marrëveshjes së bashkëpunimit ndërmjet drejtorit të QRTK-së në Prizren Samir Hoxha dhe drejtoreshës ekzekutive të Dokufest Linda Llulla

Drejtori i QRTK-së në Prizren Samir Hoxha, tha se nënshkrimi i këtij memorandumi është edhe një përpjekje shtesë e institucioneve tona që të krijojnë përqendrim më të madh të turistëve nëpër muzetë e Prizrenit gjatë sezonit veror.

Ndërsa Linda Llulla, drejtoreshë ekzekutive e festivalit Dokufest, falënderoi drejtorin e QRTK në Prizren, për gatishmërinë e tij dhe të institucionit që drejton për të bashkëpunuar në realizimin e këtij festivali me rëndësi të madhe në fushën e kulturës dhe të trashëgimisë kulturore.

Dokufest është një projekt tepër i rëndësishëm për qytetin e Prizrenit, Kosovën si dhe rajonin në përgjithësi, andaj ky memorandum bashkëpunimi ka për qëllim promovimin e vlerave të trashëgimisë kulturore të qytetit të Prizrenit te personat jo-rezident të Prizrenit gjatë kohës sa zhvillohet kjo ngjarje kulturore.

Ngjarja kulturore Dokufest, i cili zhvillohet në sezonin e verës, krijon një përqendrim më të madh të turistëve gjatë kësaj periudhe në Prizren, andaj konsiderohet e nevojshme që këtyre turistëve t’iu ofrohet mundësi që të njihen me muzetë e Prizrenit.