Vendimi i presidentes Osmani, për shkarkimin e Dakës, aq sa është i vonuar, edhe i mirëseardhur për Kosovën!

Vërtetë, është për t’u çuditur shumë, se si ne shqiptarët e Kosovës, si një popull prej më pak se 2 milion banorëve, jemi kaq të copëtuar në mendime dhe qëndrime rreth gjërave kruciale që kanë të bëjnë me shtetin dhe të ardhmen tonë si komb. Pse kemi kaq shumë pikëpamje të dallueshme politike, kaq shumë rryma dhe orientime kontradiktore, etj., madje këso polarizimesh absurde kemi treguar edhe kur ka qenë në pyetje çështja më sublime e një populli, siç ishte rruga dhe mënyrat e pavarësisë së Kosovës!

Dallime këto që nuk kanë guxuar të ndodhnin në asnjë mënyrë të mundshme, sepse asnjë njeri në këtë botë nuk i ka dy vendlindje, dy mëmëdhe, dy shtete dhe dy varre, prandaj çështja e atdheut është dhe duhet të mbetet gjithmonë, Një dhe e pandarë. Dhe, sikur ta kishin kuptuar mirë dhe drejt këtë postulat dhe normë universale etnike-kombëtare politikanët tanë të para dhe pas luftës çlirimtare, unë jam shumë i bindur, se sot në skenën politike shqiptare në Kosovë nuk do kishim pasur kaq shumë ndarje, polemika, ngatërresa, përçarje, kundërshti dhe mospajtime kaq banale, gati rreth çdo gjëje, siç ka ndodhur dhe vazhdon të ndodhë tek ne shqiptarët, mjerisht..!?

Prandaj, meqë jemi kështu siç jemi të ndarë dhe të përçarë në mes vetes, si rezultat i shumë ambicieve personale dhe egoizmave të dala nga motive krejtësisht jashtë kombëtare, veçse nga epshet e sëmura për t’u pasuruar në mënyrë sa më të paligjshme dhe për të ardhur në pushtet të pakufishëm në kurriz dhe dëm të mirëqenies së popullit tonë martir, ka qenë e qartë sikur dielli, se kryetarja e derisotme e KQZ-së, znj. Valdete Daka, ka qenë dhe ka shërbyer si njëra ndër hallkat kyçe në shtrirjen  dhe forcimin e pushtetit autoritar të klanit “Pronto” në Kosovë përgjatë 11 viteve të fundit.

Se ka qenë dorë e djathtë e pushtetit të Hashim Thaçit, Kadri Veselit me company dhe PDK-së, këtë fakt e kanë ditur edhe fëmija në djep, e lere më opinioni i përgjithshëm. Prandaj, edhe pse unë, dhe secili prej nesh mund t’i sjellë këtu me qindra fakte konkrete, se V. D. si kryetare e KQZ-së ka punuar pikë për pikë sipas urdhrave të H. Thaçit, etj., kësaj radhe do mjaftohem vetëm me një fakt eklatant, dhe ai është; sjellja dhe qëndrimi i saj abuziv, antikombëtar, antikushtetues dhe armiqësor ndaj Mërgatës tonë mbi 2 milion shqiptarësh gjithandej botës, ndaj të cilës V. Daka është sjellur në mënyrën më diskriminuese të mundshme, duke e penguar me çdo mjet votimin e saj, jo vetëm në zgjedhjet e 14 shkurtit 2021, por edhe në të gjitha zgjedhjet qëkur ajo ka ardhur në krye të këtij posti (2010) me përzgjedhjen ekskluzive të H. Thaçit, si dorë e tij e djathtë, për manipulim të rezultateve zgjedhore, sa herë që një veprim i tillë i është dashur PDK-së dhe klanit “Pronto” (siç ishin vjedhjet industriale të votave me 2010-14), ashtu siç veprojë edhe në zgjedhjet e para 4 muajve, duke i qitur Mërgatës sonë heroike një serë pengesash me qëllim për ta penguar votimin e lirë dhe demokratik, të së paku 2 milion mërgimtarëve tanë me të drejt vote, siç ishte thirrja absurde dhe verifikimi i tyre me telefon privat, moslejimi i votimit nëpër ambasada dhe konsullatat tona në botën e jashtme, vonesat e postës dhe mospranimi i votave me zarfe, gjoja të vonuara, eliminimi i mbi 44.000 votave si të pavlefshme, si dhe vështirësitë tjera procedurale, etj., me qëllim të qartë që LVV-je t’ia zvogëlojë sa më shumë numrin e votueseve, sepse ishte e ditur publikisht se mbi 80%-ind e mërgimtarëve do ta votojnë partinë e Albin Kurtit dhe Vjosa Osmanit.

Kështu që, për ata të cilët e duan pa hile Kosovën dhe atdheun e tyre, pas shumë parregullsive dhe diskriminimit që znj. V. Daka e ka ushtruar ndaj Mërgatës, dhe jo vetëm, pa ia numëruar këtu me dhjetëra veprime antiligjore, ka qenë i mjaftuar vetëm ky fakt që presidentja znj. Vjosa Osmani, menjëherë pas certifikimi të zgjedhjeve të 14 shkurtit 2021, pa humbur kohë fare ta shkarkojë Valdete Dakën, e jo asaj t’i ofrojë shpërblim dhe mirënjohje publike, me kusht nëse ajo do tërhiqet vetë nga posti të cilin e ka keqpërdorur në mënyrë brutale qëkur H. Thaçi e ka emëruar për kryetare të KQZ-së..!?

Sido që të jetë, populli thotë; më mirë vonë se kurrë…!?