Vendi në krizë për infermierë, shoqatat e mjekëve alarmojnë për ikje masive

Shkup, 8 shkurt – Maqedonia ka nevojë për dyfishin e infermierëve se sa janë për momentin. Duke komentuar deklaratën e kreut të shoqatës së mjekëve se për 10 vitet e fundit kanë ikur 2000 mjekë, Ministri i Shëndetësisë tha se pavarësisht se ikja e mjekëve është shqetësuese, kohës së fundit vërehet një rënie e këtij trendi.

“Me numër të mjekëve nuk ngecim shumë mbrapa, jemi afër. Më tepër ngecim me motrat, motrat medicinale realisht duhet të jenë në numër dyfish më të madh nga ajo që ne për momentin disponojmë. Si ministri e Shëndetësisë jemi në kontakt të vazhdueshëm me Fakultetin e mjekësisë në Shkup, Tetovë dhe Shtip. Për të krijuar kuadro të reja ne kemi punuar më tepër, intensivisht me të tre Fakultetet për të rritur kapacitetin dhe për të ju mundësuar specializime, siç e dini kemi mundësuar 8 speciailizime në UT që të mund të krijojmë kapacitete të reja dhe mjek të rinj specialist në 8 lëmi të ndryshme”, deklaroi Bekim Sali, Ministër i Shëndetësisë.

Ndërsa të dhënat zyrtare të Odës së Mjekëve të cilat janë relevante, flasin se numri i licencave aktive të mjekëve në vend për momentin është 9,643.

“Oda e Mjekëve nuk ka të dhëna relevante rreth ikjes së mjekëve. Por edhe pa pasur të dhëna precize mbi ikjen e mjekëve, edhe tek ne e qartë është trendi I shpërnguljes së mjekëve jashtë vendit. Potencojmë se mbajtja e mjekëve të rinj Brenda shtetit tonë është prioritet nëse duam ta mbajmë të gjallë sistemin tonë shëndetësor. Që mjekët tanë të rinj të qëndrojnë brenda Maqedonisë është e rëndësishme të ju sigurohet vlerësim real i punës, mundësi për edukim si dhe lehtësime në hapjen e ordinancave private, subvencionim dhe punësime”, thonë nga Oda e Mjekëve.

Vetëm nga Shoqata e Mjekëve të Maqedonisë dhjetë viteve e fundit kanë ikur 2000 mjekë, nga 7,400 anëtarë sa ka pasur kjo shoqatë, kanë ngelur vetëm 5,400.