“Veçernji list”: Bullgaria e shfrytëzon anëtarësimin në BE për mohim të identitetit maqedonas

/

Prejse në mars të këtij viti, gjatë kryesimit kroat me Unionin mori dritë të gjelbërt për  fillim të negociatave për anëtarësim në BE, Maqedonia e Veriut tani pret  që konferenca e parë ndërqeveritare  të mbahet deri në fund të vitit, me çka formalisht  hapen kapitujt e parë  nga procesi negociues, por Bullgaria kërcënohet me bllokimin e tij, citon gazeta e Zagrebit “Veçernji list”.

“Mes tjerash, bullgarët kërkojnë që gjuha maqedonase të mos quhet maqedonase, por vetëm  “gjuha zyrtare e Republikës së Maqedonisë së Veriut”. Bullgaria lë përshtypje se e shfrytëzon  anëtarësimin në BE për ta mohuar identitetin maqedonas”, vlerëson gazeta.

“Veçernji list” citon se në mbledhjen e mbrëmshme të Komitetit të përfaqësuesve të përhershëm nga vendet anëtare të BE-së, ambasadori bullgar e ka  shpërndarë “memorandumin sqarues”, në të cilin, mes tjerash, siç potencon gazeta, pohoet se mbiemri “maqedonas” nuk emëron  identitet nacional, por preardhje gjeografike, si dhe se Josip Broz Tito, i inspiruar nga Komintermi, u ka dhënë  “identitet të ri njerëzve të cilët më parë janë deklaruar si bullgarë, serbët më vonë kanë dashur  t’i identifikojnë si serbë jugor, ndërsa Tito i ka shpallur për maqedonas”.

“Bullgaria mund të gjendet nën presion të vendeve tjera anëtare të cilat duan ta shpërblejnë Shkupin zyrtar për punën e vështirë  në fillimin e negociatave me BE-në. Qeveria e kryeministrit Zoran Zaev  u pajtua edhe në ndryshimin e emrit të shtetit, për t’i mënjanuar pengesat  për fillim të negociatave, që vinin nga Greqia, ndërsa para Marrëveshjes me Greqinë ishte nënshkruar edhe Marrëveshje për marrëdhënie miqësore me Bullgarinë, e cila duhej t’i mënjanojë pengesat bullgare. Por, bullgarët vazhdojnë  të kërcënohen me veto”, shton gazeta.

Edicioni i Zagrebit potencon se diplomatët në Bruksel shpresojnë se “gjithçka do të sheshohet” deri më 10 nëntor, kur në mbledhjen e Këshillit për punë të përgjithshme të BE-së duhet të miratohet vendimi për konvokim të konferencës së parë ndërqeveritare.

“Shpresat e tilla bazohen edhe në faktin që në ditën e njëjtë në Sofje mbahet Samiti i procesit berlinas,  bashkëkryesues të së cilës janë Bullgaria dhe Maqedonia e Veriut. Procesi berlinas  për përforcimin e bashkëpunimit të Ballkanit Perëndimor,  të cilën e mendoi dhe fuqishëm e shtyu Gjermania, ishte i rëndësishëm për  vendimin e pranverës për dritën e gjelbërt gjatë  kryesimit kroat, ndërsa tani është ende më i rëndësishëm  se  ky vend është kryesues aktual me Këshillin e BE-së”, përfundon “Veçernji list”.