Vazhdon monitorimi i situatës me COVID-19 në Malishevë, gjendja është stabile dhe e kontrolluar

Shtabi Komunal për Menaxhimin e Situatës me COVID-19 në Komunën e Malishevës, është duke e monitoruar situatën 24 orë në ditë, ndërsa gjendja aktuale me COVID-19 është stabile dhe e menaxhueshme. Gjatë ditës së sotme, janë kryer dy teste, ku njëri ka rezultuar negativ dhe tjetri pozitiv, por siç ju kemi njoftuar gjatë ditës së sotme, personi që ka rezultuar pozitiv, nuk është nga Komuna e Malishevës, por punon në qytetin e Malishevës dhe rasti është i izoluar.

Në kuadër të menaxhimit të situatës me pandeminë COVID-19 dhe në kuadër të zbatimit të masave qeveritare për luftimin e përhapjes së këtij virusi, edhe Inspektorati komunal, është duke i zbatuar të gjitha urdhëresat për ndalimin e punës në gastronomi nga ora 21:00-05:00, si dhe është duke i mbikëqyrur të gjitha bizneset tjera shërbyese për zbatimin e masave mbrojtëse.

Shtabi Komunal për Menaxhimin e Situatës me COVID-19 në Malishevë, është duke punuar pa ndërprerje dhe të gjitha rastet e dyshuara dhe personat e kontaktit është duke i kontaktuar, të cilët janë duke qëndruar në vetizolim dhe deri më tani nuk është regjistruar asnjë problem.