Urosheviq: Nuk duhet të futemi në polemika për gjuhën maqedonase
Shkup, 27 gusht – Nuk duhet të futemi në polemika për gjuhën maqedonase. Kjo sipas meje është humbje kohe. Ne shkruajmë në gjuhën maqedonase dhe këtë nuk mund ta vëmë në dyshim, sepse do ta sjellim në dyshim identitetin tonë, ekzistencën tonë, ka thënë në intervistën për MIA-n Vllada Urosheviq, fituesi i sivjetshëm i “Kurorës së artë” në Mbrëmjet strugane të poezisë.
Urosheviq, i cili është poet, tregimtar, eseist maqedonas dhe anëtar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë (ASHAM), thotë se gjithmonë ka qenë kundër hyrjes në polemika me shkencëtarët, shkrimtarët dhe politikanët bullgarë për këtë çështje.
“Nëse ata mendojnë se gjuha jonë nuk është autentike, le të mbeten në atë mendim, çfarë të bëjmë? Sigurisht që ne nuk mund t’i bindim. Mbetet që ata të ndryshojnë, një ditë që ta kuptojnë realitetin. Deri atëherë duhet ta ruajmë gjakftohtësinë. Këto polemika nuk çojnë askund. Kjo, për mendimin tim është humbje kohe. Duhet t’i lëmë të flasin çfarë të duan, ne e dimë të vërtetën tonë”, thekson Urosheviq.
“Ka disa ndryshime dhe kur një student regjistrohet ose nuk regjistrohet në gjuhën maqedonase, ai llogarit gjasat e tij për punësim. E dini, nuk ka të bëjë me atë nëse e duam atë materie ose nëse duam ta studiojmë. Megjithatë, rol luan edhe pjesa praktike, një pjesë e të menduarit nëse mund të gjej punë kur të mbaroj këto studime. Mendoj se kjo është çështja kryesore dhe është mirë që janë futur lektorë për shumë mënyra botimi, promovimi në publik dhe ata luajnë një rol shumë të rëndësishëm në gjithë këtë dhe mendoj se kemi nevojë për më shumë lektorë. Pra, studimi i gjuhës maqedonase nuk sjell më shumë rreziqe se sa studimi i diçkaje tjetër”, ka thënë Urosheviq.
Në pyetjen se çfarë paraqet Çmimi i “Kurorës së artë” të Mbrëmjeve strugane të poezisë ai thotë se kjo paraqet një nga çmimet më kryesore poetike në botë.
“Kam marrë pjesë në një sërë festivalesh botërore dhe e di se si luhen, ndërsa në ato që nuk kam marrë pjesë, kam dëgjuar për to dhe mendoj se ‘Kurora e artë’ në Mbrëmjet strugane renditet në krye të çmimeve ndërkombëtare të poezisë dhe atë me atë listë poetësh që krijuam këto 50 vitet e fundit pasi jepet “Kurora e artë”. Dhe më vjen mirë që Mbrëmjet strugane arritën ta ruajnë atë nivel. Më preku shumë lajmi kur mësova se kam hyrë në atë listë të fituesve të ‘Kurorës së artë’, që është vërtet aq reprezentative që çdo njohës i poezisë patjetër të thotë se kjo është poezia botërore e kohës sonë”, shprehet ai në intervistë.
Sipas tij, ka festivale në botë që janë pak më ndryshe nga tonat, kanë përmbajtje ndryshe, program ndryshe dhe i përmbahen asaj. Natyrisht, shton ai, që vijnë gjenerata të reja të reja, sjellin ide të reja dhe kjo është normale, por duhet pasur kujdes që të ruhet ajo që është thelbi, pra thelbi i këtij manifestimi dhe që ai të mbetet me profilin e tij tashmë të portretizuar qartë, me karakteristikat e saja të përcaktuara qartë.
“Më gëzon fakti që Mbrëmjet strugane të poezisë vazhdojnë dhe mendoj se kjo është jashtëzakonisht domethënëse, që ndonjëherë sjell pika jo fort të dukshme në dukje të parë jo vetëm për poezinë dhe letërsinë maqedonase, por edhe për kulturën maqedonase në përgjithësi dhe shtetësinë dhe identitetin tonë”, ka thënë Urosheviq.