Turqia, ofenzivë kundër militantëve kurd në Irak

Turqia ka nisur një ofensivë të re ajrore dhe tokësore kundër militantëve kurdë në veri të Irakut, ka bërë të ditur ministri i Mbrojtjes, Hulusi Akar. Njësitë ushtarake dhe forcat speciale, të mbështetur nga avionë dhe helikopterë, janë përfshirë në ofensivën kundër Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit në veri të Irakut.

“Pilotët tanë me sukses kanë goditur strehimoret, shpellat, tunelet dhe depot e municionit që i përkasin organizatës terroriste. Jemi të vendosur ta shpëtojmë kombin tonë nga kjo fatkeqësi që e mundon popullin për 40 vite. Lufta jonë do të vazhdojë derisa nuk neutralizohet teroristi i fundit” – tha Ministri i Mbrojtjes i Turqisë, Hulusi Akar.

Ministria turke e Mbrojtjes tha se operacioni nisi pasi u zbulua se PKK po planifikonte një sulm të shkallës së gjerë kundër Turqisë.

PKK konsiderohet organizatë terroriste nga Turqia, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.