Tuchel thotë se synon ta fitojë Ligën e Kampionëve me Chelsean

Thomas Tuchel ka thënë se i është bashkuar Chelseat për të fituar trofe dhe është i bindur se klubi londinez e ka kulturën e nevojshme për t’i arritur synimet e tij.

Të kaltrit nuk e kanë fituar asnjë trofe që prej vitit 2019, kur e fituan Ligën e Evropës nën udhëheqjen e Maurizio Sarrit.

Por këtë vit, tani nën udhëheqjen e Tuchel, Chelsea është në garë për trofe në Ligën e Kampionëve dhe në FA Cup.

Chelsea do të kërkojë ta zërë një vend në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve sot, kur të takohet me Porton në ndeshjen e kthimit çerekfinale. Klubi londinez do të përballet me Manchester City për një vend në finale të FA Cup të shtunën.

I pyetur në një konferencë për media të hënën nëse Liga e Kampionëve është rruga më e qartë drejt fitimit të një trofeu këtë sezon, Tuchel u përgjigj: “Mbase po nëse arrijmë në finale”.

“Jemi në ndeshjen e dytë çerekfinale të Ligës së Kampionëve. Nuk mund ta gjeni një ekip që nuk e ka synim gjysmëfinalen. Ne jemi edhe në gjysmëfinale të FA Cup dhe kemi mundësi të shkojmë në finale. Nëse arrijmë në finale kemi mundësi ta fitojmë trofeun”, shtoi ai.

“Nuk kam çfarë të fsheh. Ky klub ka kulture dhe strukturë për të fituar tituj dhe për të fituar ndeshje radhazi. Unë jam këtu për të fituar tituj. Jam këtu për të fituar ndeshje dhe si rrjedhojë, tituj”, nënvizoi ai.