Trump bën thirrje për paqe në Gaza ndërsa numri i palestinezëve të vrarë shkon mbi 56 mijë

Donald Trump i ka kërkuar Izraelit dhe Hamasit të bien dakord për një armëpushim – pasi numri i palestinezëve të vrarë në Gaza arriti në 56,500.
“Marrëveshje në Gaza. Ktheni pengjet”, tha Trump.
Presidenti amerikan kishte rritur pritjet për një marrëveshje të mundshme këtë javë, por disa palestinezë ishin dyshues për përpjekjet e fundit për t’i dhënë fund luftës 20-mujore që ka shkatërruar pjesën më të madhe të Gazës.
“Që nga fillimi i luftës, ata na kanë premtuar diçka të tillë: lironi pengjet dhe ne do ta ndalojmë luftën”, tha një palestinez, Abdel Hadi al Hour.
“Ata nuk e ndaluan luftën.”
Bëhet e ditur se një armëpushim tetë-javor u arrit në ditët e fundit të presidencës amerikane të Joe Biden, por Izraeli e rifilloi luftën në mars pasi u përpoq ta bindte Hamasin të pranonte kushte të reja për hapat e mëtejshëm, shkruan skynews.
Ndërkohë, sulmet izraelite në Gaza vazhduan.
Ndryshe, lufta e cila ka vazhduar për më shumë se një vit e gjysmë, filloi pasi militantët e Hamasit nisën sulme në Izrael më 7 tetor 2023, duke vrarë 1,200 njerëz dhe duke marrë rreth 250 pengje.
Bisedimet midis Izraelit dhe Hamasit kanë ngecur në lidhje me çështjen nëse lufta duhet të përfundojë apo jo si pjesë e ndonjë armëpushimi.
Zyrtari i Hamasit, Mahmoud Merdawi, akuzoi Netanyahun për pengimin e përparimit në një marrëveshje, duke thënë se udhëheqësi izraelit këmbëngul për një marrëveshje të përkohshme që do të lironte vetëm 10 nga pengjet.
Ndërsa Omer Dostri, zëdhënës i Netanyahut, tha se “Hamasi ishte pengesa e vetme për t’i dhënë fund luftës”.
Numri i të vdekurve në Gaza ka arritur në 56,500, sipas ministrisë së shëndetësisë të territorit.