Tri ditë në Kosovë/ Çfarë i kërkuan politikanët Lajçakut dhe çfarë mesazhi la ky i fundit?

Lajçak sot ka udhëtuar për në Beograd, ndërsa maratonën e takimeve të tij e ka përfunduar sot në zyrat e Lidhjes Demokratike të Kosovës me shefin e kësaj partie, Isa Mustafa, shkruan lajmi.net.

Por, çka solli me vete erdhi dhe çfarë mori me vete kur shkoi, Lajçak?

Miroslav Lajçak u takua me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi – takim ky që u vlerësua shumë i frytshëm nga emisari Lajçak.

“Kisha një takim të mirë dhe jashtëzakonisht të frytshëm me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi. U dakorduam që Kosova ka nevojë për dialog dhe për marrëveshjen gjithëpërfshirëse”, ka shkruar Lajçak.

Lajçak e quan të frytshëm takimin me Thaçin: Kosova ka nevojë për marrëveshje gjithëpërfshirëse

E në anën tjetër, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi tregoi se i kërkoi Lajçakut se ka ardhur koha që BE ta vë në tavolinë njohjen reciproke.

“Mund të konkludoj se bashkëbisedimi dhe takimi ynë ka qenë  një takim korrekt dhe konstruktiv, me një bisedë të hapur, në drejtimin e gjetjes së mundësive për arritjen e marrëveshjes finale mes Kosovës dhe Serbisë që do të nënkuptonte njohjen reciproke dhe mundësinë që Kosova të anëtarësohet në OKB. Besoj që ka ardhur momenti që BE-ja të hidhet në tavolinë mundësia e diskutimit për njohje reciproke, sepse kjo duhet të jetë pika e parë e marrëveshjes.  Unë dua të besoj që njohja reciproke me standardet e përcaktuar mund të jetë mundësi e mirë që garanton stabilitet në rajon, fqinjësi të mirë mes dy vendeve tona, dhe që garanton të ardhmen evropiane të Kosovës dhe Serbisë”, tha Thaçi në një konferencë për media pas takimit.

Thaçi pas takimit me Lajçakun: Ka ardhur koha që BE ta vë në tavolinë njohjen reciproke

Me Lajçak është takuar edhe kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli. Ai në takimin e tij me Lajçak i ka kërkuar këtij të fundit që dialogu Kosovë – Serbi të përfundojë me njohje reciproke dhe që Kosova nga kjo marrëveshje të fitojë ulësen e saj në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.

 “Është inkurajues pozicioni i përfaqësuesit special të BE-së, Miroslav Lajçak, që në emër të Bashkimit Evropian ka një agjendë të qartë për ta përmbyllur dialogun mes Kosovës dhe Serbisë me një marrëveshje finale. Partia Demokratike e Kosovës do të vazhdoj që si opozitë të jap kontributin e saj, ku si bazë mbështetje ka vullnetin e qytetarëve dhe Kushtetutën.” ka thënë kryetari Veseli.

Veseli kërkon nga Lajçak: Marrëveshje finale me Serbinë, që sjellë njohje reciproke dhe ulëse në OKB

Ndërkohë që Lajçak vet ka treguar se i ka kërkuar opozitës përfshirjen në procesin e dialogut midis Kosovës dhe Serbisë.

E një takim pak më ndryshe Lajçak e zhvilloi me kreun e Lëvizjes Vetëvendosje dhe ish-kryeministrin Albin Kurti i cili i foli emisarit për dialogun për zgjedhjet e brendshme të Vetëvendosjes dhe lëndët që ky subjekt politik i ka dërguar për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese.

Në anën tjetër, Lajçak në këtë takim e hapi temën e dialogut midis Kosovës dhe Serbisë duke treguar rëndësinë e procesit – gjë për të cilën u pajtua edhe ish-kryeministri Kurti.

Kurti takohet me Lajçak, emisarit për dialogun i flet për zgjedhjet e brendshme të VV-së dhe Gjykatën Kushtetuese

Lajçak gjithashtu ka takuar edhe kryekuvendaren, Vjosa Osmani me të cilën ka diskutuar rreth marrëveshjes përfundimtare midis Kosovës dhe Serbisë.

Osmani citohet t’i ketë përmendur Lajçakut deklaratat e politikanëve serbë për varrezat masive të shqiptarëve dhe gjithashtu i ka kërkuar që dialogu të përfundojë me njohje reciproke dhe mos të lejohet bosnjizimi i Kosovës.

“Zonja Osmani i ka thënë të ngarkuarit të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, për Asociacionin duhet të zbatohet vendimi i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës dhe se nuk duhet lejuar bosnjizimi i Kosovës”, u tha në komunikatën për media të zyrës për media të Osmanit.

Osmani ia përmend Lajçakut deklaratat e zyrtarëve serbë për varrezat masive të shqiptarëve

E Lajçakun në takim e priti edhe kreu i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ai i kërkoi emisarit për dialogun që të evitohet çdo bllokadë që e pengon dialogun midis Kosovës dhe Serbisë.

Limaj gjithashtu tha se në marrëveshjen gjithëpërfshirëse duhet të përfshihet edhe asociacioni me të gjeturat e Kushtetutës dhe Kosova i ka obligimet që duhet t’i zbatojë.

“Duhet të largohet çfarëdo zbrastësie, pengesë që e zhagisinë përfundimin e dialogut dhe e di që zotëri Lajçak bashkë me kabinetin e tij është duke e bërë një punë të madhe. Pres në ditët në vijim të intensifikohet dialogu dhe të përmbyllet me marrëveshjen obligueshme për njohje reciproke mes Kosovës dhe Serbisë. Në marrëveshje gjithëpërfshirëse duhet të përfshihet edhe Asociacioni me të gjeturat apo kompetencat e vendimit të Kushtetueses dhe Kosova ka obligimet që duhet të zbatojë. Këtu nuk shoh asnjë telashe, për mua është e rëndësishme që marrëveshje të jetë për njohje reciproke dhe brenda të jetë asociacioni siç është paraparë nga Gjykata Kushtetuese”, tha Limaj.

​Limaj-Lajçakut: Duhet të largohet çfarëdo pengese që zvarritë përfundimin e dialogut

E më optimisti pas takimit me Lajçak u shpreh kreu i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli, ai tha se takimi ishte i frytshëm dhe se mund të ketë marrëveshje midis Kosovës dhe Serbisë brenda disa muajsh.

“Ajo marrëveshje ka qenë në Gjykatën Kushtetuese dhe ka marrë formën e drejtë dhe nëse Gjykata Kushtetuese e ka miratuar një marrëveshje të tillë është dashur të konsiderohet si e nënshkruar. Nuk besoj se do ta rihapë dikush këtë temë sepse ajo ka kaluar. Është nënshkruar më 2013 dhe është miratuar nga Gjykata Kushtetuese, gjegjësisht është adaptuar me norma kushtetuese ku Asociacioni nuk do të ketë fuqi ekzekutive”, tha gjithashtu Pacolli.

Pacolli shprehet optimist: Brenda disa muajsh mund të ketë marrëveshje finale Kosovë-Serbi

E takimin e tij të fundit në Kosovë, Miroslav Lajçak e zhvilloi me kreun e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ai pas takimit mbajti në konferencë për media, ndërsa Mustafa nëpërmjet një postimi në Facebook dha detaje për mbarëvajtjen e takimit.

Mustafa bëri të ditur se i ka prezantuar një dokument emisarit për dialogun. Ajo është një letër që ka pranuar Mustafa nga zonja Frederica Mogherini asokohe një ditë para nënshkrimit të marrëveshjes së Asociacionit të komunave me shumicë serbe, është zotuar që ky asociacion nuk do të ketë kompetenca ekzekutive, pra nuk do të jetë nivel i tretë i qeverisjes dhe nuk do të ketë fuqi ekzekutive, shkruan lajmi.net.

Sipas Mustafës, letrën që ish-Përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Federica Mogherini, ia ka duruar atij, sot ia ka prezantuar edhe të dërguarit special të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.

“Sot në diskutimin që e pata me z. Lajçak ia prezantova zotimin e BE-së që e kam marrë nga zonja Mogherini.”, tha Mustafa gjithashtu.

Mustafa: BE-ja më 2015 u zotua që Asociacioni nuk do të ketë kompetenca ekzekutive

E në fund të maratonës së takimeve të tij, Lajçak foli para mediave. Ai tha se BE po diskuton normalizim të raporteve dhe se Kosova e Serbia e kanë bërë të qartë se si e shohin këtë çështje.

“Ne po negociojmë për normalizim të raporteve. Mandati im është për normalizim dhe nuk mund ta përkufizojë këtë. Ana e Prishtinës dhe Beogradit e kanë bërë të  qartë se si e nënkuptojnë normalizimin. Mua më duhet të lehtësojë marrëveshjen, mirëpo u takon palëve. Nëse nuk ka marrëveshje s’do të ketë as normalizim. Nuk do të ketë marrëveshje pa Asociacionin, sepse Kuvendi i Kosovës e ka ratifikuar marrëveshjen. Kur disa politikanë thonë se rasti është mbyllur, i bije që ata nuk duan të rihapin tekstin, dhe nuk e kërkojmë këtë, ne kërkojmë vetëm implementimin”, tha Lajçak.

Në këtë kontekst, ai tha se palët për të marrë diçka, duhet të japin diçka tjetër, dhe se sipas tij asnjë nga akterët me të cilët ai është takuar në ditët e fundit nuk ka pasur problem për këtë çështje – e ky po del të jetë mesazh kryesor i tij në vizitën tre ditore në Kosovë.

“Nuk kam takuar asnjë partner që ka ndonjë problem për këtë çështje. Kompromisi është parim shumë i mirë në negocim, nëse dua të marr diçka duhet të japësh diçka. Të dyja palët duhet të jenë të gatshme të japin diçka në mënyrë që të marrin atë që dëshirojnë”, tha ai.

Lajçak pyetet për njohjen reciproke: Për të marrë, duhet të jesh i gatshëm të japësh diçka

Pas Kosovës, Lajçak ka udhëtuar për në Serbi – ku edhe është ndalur në pikën kufitare në Merdare dhe ka përshëndetur punën e përbashkët midis Kosovës dhe Serbisë në këtë pikë.

Vizita e Lajçak në Beograd do të jetë e funksionit të njëjtë që siguron rifillimin e dialogut dhe mundësinë e gjetjes së një zgjidhje të kënaqshme për palët që të vijë në shprehje mundësia e njohjes reciproke dhe marrëveshjes përfundimtare.

Deri në atë moment, dihet se asociacioni i komunave serbe është “molli sherri” midis palëve në diskutim. /Lajmi.net/