Tre të vdekur në Indi gjatë protestës kundër postimit fyes ndaj profetit Muhamed

Tre të vdekur në Indi gjatë protestës kundër postimit fyes ndaj profetit Muhamed

Tre persona kanë vdekur në qytetin Bangalore të Indisë pasi policia i qëlloi me armë protestuesit që po protestonin kundër një postimi në Facebook, të cilin ata e konsiderojnë fyerje ndaj profetit Muhamed.

Protestuesit u mblodhën para shtëpisë së një politikani lokal, i afërmi i të cilit u akuzua për një postim fyes ndaj profetit Muhamed, shkruan BBC.

Ata ua vunë flakën veturave dhe i sulmuan me gurë policët që shkuan në vendin e ngjarjes.

Policia e ka arrestuar burrin dhe 110 persona të tjerë që ndodheshin në mesin e protestuesve.

Komisioneri lokal, Kamal Pant, tha se së paku 60 policë u lënduan gjatë dhunës që shpërtheu të martën në mbrëmje.

Vdekja e tre personave u konfirmua edhe nga ministri rajonal i Punëve të Brendshme të Karnatakas.

Mediet lokale raportuan se postimi për të cilin u organizua protesta tashmë është fshirë nga rrjeti social.