Tranzicioni energjetik, siguria dhe diversifikimi në furnizimin me energji, tema të takimit Bekteshi- Lajt

Shkup, 1 qershor – Ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, gjatë vizitës së tij zyrtare në Uashington të SHBA-së ka zhvilluar sot takim pune me Endru Lajt, Ndihmës sekretar i shtetit për Çështjet ndërkombëtare në Departamentin e energjisë së SHBA-së.

Siç theksohet në kumtesë, temë kryesore e takimit ka qenë zhvillimi i tregut të energjisë në Maqedoninë e Veriut, tranzicioni energjetik, siguria dhe diversifikimi në furnizimin me energji dhe investimet në energjinë e gjelbër.

“Në takim, ministri Bekteshi informoi për investimet që po bën Maqedonia e Veriut në sektorin energjetik, para së gjithash në zhvillimin e rrjetit të shpërndarjes së gazit natyror dhe ndërlidhjeve të gazit natyror me vendet fqinje, si dhe për masat e marra për krijimin e kushteve për investime në ndërtimin e kapaciteteve të reja për prodhimin e energjisë elektrike nga burimet e rinovueshme”, thuhet në kumtesën e Ministrisë.

Bekteshi bëri të qartë se në përputhje me strategjinë afatgjate në sektorin e energjisë, Republika e Maqedonisë së Veriut vlerëson mbështetjen e partnerit të saj SHBA me kontribut të përbashkët për të vazhduar zhvillimin e koncepteve që janë në fokus të zhvillimit të sektorit energjetik.

“Të dy bashkëbiseduesit u pajtuan që ky bashkëpunimi i mirëfilltë të vazhdojë edhe në të ardhmen”, theksohet në kumtesë.