89% e viktimave në RMV, persona të pavaksinuar

Autoritetet e shëndetësisë në Maqedoninë e Veriut duke publikuar një analizë epidemiologjike për valën e katërt të Covid-19, që përfshinë Korrikun dhe Gushtin, njoftojnë se vdekshmëria ka qenë më e lartë në qytetet me shkallë më të ulët të popullatës së vaksinuar. Si shembull janë marrë Tetova dhe Gostivari.

“Tetova në Korrik, priti këtë valë vetëm me 19% të qytetarëve të vaksinuar. Këtu pati më shumë presion ndaj spitaleve, më shumë pacientë të hospitalizuar dhe më shumë raste të vdekjeve – 106 deri në fund të Gushtit. Dy javët e fundit, në Tetovë, në mënyrë drastike është rritur interesimi për vaksinim dhe është thuajse 37%. Situatë e njëjtë është edhe në Gostivar. Deri në fund të Gushtit janë vaksinuar rreth 30% e qytetarëve kurse numri i viktimave është – 73”.

Nga ana tjetër, në qytetet sikurse Gjevgjelia, Kavadari, Resnja dhe Berova ku shkalla e vaksinimit është nga 54 deri 61% janë shënuar nga një viktimë.

Ndërkaq në një analizë tjetër të Ministrisë së Shëndetësisë që ka të bëjë efektin e vaksinave, 81% e infektimeve të reja dhe 87% e të hospitalizuarve nuk kanë marrë asnjë dozë të vaksinës.

Në këtë analizë, që kap periudhën nga 06 Gushti deri më 02 Shtator, kanë ndërruar jetë 480 pacientë të infektuar me COVID-19, kryesisht të pavaksinuar.

“Prej tyre, 429 pacientë apo 89% e viktimave nuk kanë qenë të vaksinuar, kurse vetëm 51 apo 10% kanë marrë vaksina. Sipas analizave viktimat me doza të vaksinës kanë patur më shumë sëmundje të kombinuara kronike”.

Në Maqedoninë e Veriut deri tani janë aplikuar 1.292.383 doza të vaksinave kurse janë rivaksinuar 555.332 qytetarë.